Rama për çështjen “Beleri”: Drejtësia të bëjë punën e vet, e patrazuar

Tiranë, 25 gusht 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se askush nuk do të ndërhyjë në punën e sistemit të drejtësisë për çështjen “Beleri”, pavarësisht prej presionit të Greqisë.

Të premten, në një konferencë me gazetarët, Rama theksoi se nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, i cili do ta bëjë punën e vet në mënyrë plotësisht të pavarur.

“Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e pa trazuar detyrën e saj. Dhe në këtë pikë asgjë nuk më e rëndësishme sesa mbrojtja me të njëjtën mënyrë siç kemi vepruar me të gjitha rastet e tjera e qetësisë së veprimtarisë së sistemit të ri të drejtësisë. Kështu që, asnjë lloj interference ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë”, shtoi ai.

“Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë. Ne nuk presim prej tyre asgjë tjetër, përveçse të zbatojnë ligjin dhe ne nuk kemi asgjë tjetër për t’iu dhënë atyre, përveç mbështetjes sonë pa kushte, qoftë kur na vjen mirë, qoftë kur na vjen keq, qoftë kur na pëlqen, qoftë kur s’na pëlqen një vendim i tyre. Kjo është e panegociueshme për forcën që sot e qeveris Shqipërinë. Të tjerët mund të bëjnë dhe mund të thonë çfarë të dëshirojnë, qoftë brenda, qoftë jashtë. Ne jo!”, u shpreh Rama.

“Nuk ka shans, sa të jem unë këtu, të ushtrohet presion mbi drejtësinë e re dhe të funksionojë duke kaluar përmes kërcënimeve apo insinuatave. Nuk ka shans. Kjo drejtësi është ajo që i duhet Shqipërisë, që Shqipëria të bëhet shteti që e kanë ëndërruar ata që e kanë krijuar”, theksoi ai.

Rama e cilësoi reformën në drejtësi si “gjënë më të paimagjinueshme” në historinë e Shqipërisë.

“Reforma e drejtësisë në Shqipëri është gjëja më e madhe, gjëja më e rëndë, gjëja më e paimagjinueshme deri para pak vitesh që i ka ndodhur shtetit shqiptar. Jo sot, por në historinë e vet”, theksoi Rama.

(r.m.)