Gazeta prestigjioze “Financial Times” (FT) e ka pyetur Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se çfarë epitafi do të preferonte mbi gurin e varrit të tij dhe Rama ka thënë se do të preferonte qënë gurin e varrit të tij të shkruhej: “Piktori më i mirë midis kryeministrave dhe kryeministri më i mirë midis piktorëve”.
FT e pëshkruan zyrën e kryeministrit Rama të mbuluar me stilolapsa, ku ai pikturon teksa dëgjon pyetjet e gazetarit për strehimin e afganëve në Shqipëri, por edhe për pasionin e tij për pikturën.
“Kur e pyes se si gjen kohë për të pikturuar duke e drejtuar një vend, përsëri e ngre një vetull. ‘Nuk gjej kohë’, thotë ai”, shkruan FT.
“Unë kurrë nuk pikturoj veçmas nga ajo që bëj çdo ditë, që është puna ime, në këtë tryezë. Kur jam në takime ndërkombëtare vizatoj duke qenë i vëmendshëm. Njerëzit ndonjëherë kanë përshtypjen se nuk po i dëgjoj, ose nuk më intereson ajo që thonë, gjë që nuk është e vërtetë. Njerëzit që vizatojnë gjatë takimeve, kanë më shumë fokus në atë që diskutohet – dhe janë më pak të stresuar nga ajo që diskutohet”, shprehet Rama.
Strehimi i afganëve
Njeriu që mori vendimin për të pranuar afganët është ulur pas një tavoline të madhe prej druri në Tiranë, e mbuluar me shkumësa dhe stilolapsa. Muret e zyrës së tij janë të zbukuruara me skicat dhe karikaturat abstrakte të tij.
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, është një ish-pedagog i Akademisë së Arteve, i cili ka ekspozuar punën e tij edhe gjatë kohës si kryeministër.
Kur e pyes pse ai doli vullnetar në marrjen e afganëve në takimin e NATO-s disa muaj para rënies së Kabulit – kryeministri Rama duket paksa i acaruar për sugjerimin tim të nënkuptuar se ai bëri diçka të veçantë.
“Pse? Pse çfarë? Nuk bëhet fjalë për t’u dhënë strehë njerëzve në përgjithësi. Bëhet fjalë për këtë popull të veçantë, popullin e Afganistanit, dhe jo të gjithë ata, por ata që u angazhuan në [ndërtimin] e një Afganistani më të mirë.”
Më saktësisht, thotë ai, në takimin e NATO-s duhej të bënin plane për afganët që do të konsideroheshin ‘tradhtarë’ nga talebanët. Kryeministri Rama thotë se shqiptarët e kanë përjetuar luftën.
“Ne kemi vuajtur vetë. Për ne lufta, arratisja nga regjimet vrastare, kanë qenë pjesë e jetës sonë, nuk është Netflix,” thotë ai, duke kujtuar luftën e Kosovës në vitin 1999, kur gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri.
Procesi i integrimit në BE
Rama u tërhoq nga karriera e tij në vitin 1999 për t’u rikthyer nga Parisi dhe për t’u bërë ministër i Kulturës që shënjon edhe hyrjen e tij në politikë. Tani është në mandatin e tij të tretë të qeverisjes si kryeminisrtër. Që nga fundi i viteve 1990, Shqipëria simbolizonte kaosin por tani ajo është kthyer në një nyje stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Në muajt e fundit Rama ka qenë i hapur duke i kërkuar rajonit t’i rezistojë propozimeve nga Rusia dhe Kina.
Ai beson në idenë e anëtarësimit në BE, pavarësisht vonesave të pafundme në procesin e anëtarësimit. “Ne kemi konsumuar të gjitha ‘historitë e dashurisë’ më parë dhe martesat,” thotë ai në një referencë të nënkuptuar ndaj aleancave të epokës komuniste të Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën. “Pra, ne jemi duke kërkuar për një martesë të re.”
(Panorama.al)