Rama për hetimet e SPAK-ut: I qetë e i vendosur të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Tiranë, 28 dhjetor 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ai është i qetë dhe i vendosur që beteja ndaj pandëshueshmërisë në Shqipëri të vijojë, pavarësisht se hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë prekur zyrtarë të lartë në qeverinë e tij dhe në Partisë Socialiste në pushtet.

“Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis”, ka thënë Rama, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Rama është pyetur spedcifikisht edhe për hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, por nuk ka dashur të komentojë gjatë, përveçse ka kujtuar prezumimin e pafajësisë.

“Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese”, është shprehur ai.

Rama ka pranuar se në Shqipëri ka korrupsion, por, sipas tij, ai nuk është i atyre përmasave siç paraqitet nga opozita dhe mediet.

“… korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real. Jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve dhe me modernizimin e proceseve brenda administratës, duke shfrytëzuar teknologjinë, qoftë nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë dhe, patjetër, qoftë falë mbështetjes publike, që në këtë luftë kundër kësaj të keqeje është një mbështetje e gjerë”, ka thënë ai.

Kryeministri Rama ka shpjeguar edhe përse shumica socialiste në Kuvend e kanë shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin ne depoutetes Olta Xhaçka.

“… vendimi i Komisionit të Venecias është i qartë: nuk do të duhej fare të lindte nevoja, sepse nuk ekziston. Është jashtë logjikës më elementare të funksionimit të një shteti demokratik, ku të tria pushtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra –  legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi – që një gjykatë, qoftë edhe ajo Kushtetuese, t’ua imponojë deputetëve se si duhet të ngrenë dorën. Kjo nuk ndodh”, është shprehur ai.

Kryeministri Rama ka folur edhe për rocesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, p٥r zhvillimin ekonomik të vendit dhe për zgjedhjet er ardhshme parlamentare. Ai ka thënë se Partia Socialiste do ta shënojë “fitoren më të thellë” të të gjitha zgjedhjeve të deritashme.

(r.m.)

Comment

*