Tiranë, 25 gusht 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur sot nga gazetarët për marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai ka mohuar se me Kurtin ka pasur përplasje, pas refuzimit të takimit në Prishtinë nga Kurti, në fillim të korrikut.
“Cilës përplasje i referoheni konkretisht? Jam kurioz. Ky është lajm i vjetër dhe kjo është pyetje e vjetër sa lajmi dhe përgjigja ime është dhënë atëherë dhe nuk shoh të ketë ndodhur asgjë e re”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se ai dhe Kurti janë sovranë në detyrat e tyra dhe kanë qëndrimet e tyre për çfarëdo çështjesh, ndërsa raportimet e medies i ka cilësuar “telenovela mediatike”.
“Qëndrimet e mia janë të miat, qëndrimet e Albinit janë të Albinit. Albini është sovran në detyrën e tij, unë jam sovran në të drejtën për të pasur qëndrimet e mia. Kaq. Nuk shoh asnjë problem këtu dhe nuk shoh asnjë telenovelë. Për mua s’ka pasur, s’ka dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë dyshim që kur njerëzit mund të takohen duhet të takohen, kur njerëzit duhet të ftohen duhet të ftuar. Kaq. Të tjerat pastaj janë telenovela mediatike”, ka thënë ai.
Në fillim të korrikut, Kurti kishte refuzuar të takohej me Ramën, i cili zhvilloi një tur dyditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, në muajin tetor.
Kurti e kishte marrë këtë vendim për shkak se Rama e kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy vendeve, pasi Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)