Tiranë, 9 janar 2023 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vjedhjen e shumës së madhe të parave në shtëpinë e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Në një postim në Facebook, Rama është distancuar nga çfarëdo abuzimi nga “njerëz të veshur me kostum zyrtar”, të cilët i ka cilësuar si “llum”.
Po kështu, nxjerrjen në dritë të rastit e ka cilësuar si fryt të Reformës në Drejtësi dhe, siç është shprehur, “vullnetit tonë kundër korrupsionit”.
“Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, ka theksuar ai.
Postimi i plotë:
Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!
E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!
Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.
(r.m.)