Për kryeministrin Edi Rama, shfaqja dhe përhapja më e shpejtë e variantit indian “Delta” mund të kërkojë vaksinim të detyrueshëm
Knid Ndrenika
Shqipëria mund ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër Koronavirusit për studentët dhe pedagogët veçanërisht pas përhapjes më të shpejtë të variantit indian “Delta”.
Kryeministri Edi Rama tha se studentët dhe pedagogët në auditore duhet ta kenë të qartë që nuk mund të bëhen shkak për përhapjen e Koronavirusit, andaj vaksinimi mund të shndërrohet në të detyrueshëm.
Zoti Rama theksoi se është e pamundur që të lejohet përshkallëzimi i panevojshëm ose i shmangshëm i numrave të të infektuarve që nxisin rikthimin e padëshiruar të masave kufizuese.
Për kryeministrin, shfaqja dhe përhapja më e shpejtë e variantit indian “Delta” mund të kërkojë vaksinim të detyrueshëm.
“E rëndësishme është që mund të vijë momenti duke pasur parasysh me atë që po ndodh nëpër botë dhe pasur parasysh vaksinimi do të jetë i detyrueshëm dhe duhet t’ia komunikojmë intisivisht kur vjen momenti të mos thonë pse s’na thanë. Për të gjithë ata që kanë pjesë të aktivitetit për të qenë bashkë me të tjerë”-tha ai.
Ai tha se shteti ka përgjegjësinë që të garantojë të vaksinuarit për të mos u kërcënuar nga të pavaksinuarit:
“Nëse për veten e tyre mund të thonë s’ia dimë të tjerët. Vaksina nuk të heq rrezikun e infektimit, port ë bën që kur të infektohesh ta kalosh më lehtë. Askush sia ka borxhë askujt për të shkuar në spital se të tjerët thonë s’dua”!
Kryeministri foli gjatë inspektimit në ndërtesat studentore në Tiranë ku po punohet për përshtatjen si vendqëndrim i përkohshëm për afganët që mund të vijnë nga Afganistani pas rikthimit të talebanëve në pushtet.