Rama: Po e shqyrtojmë mbylljen e TikTok-ut dhe SnapChat-it në Shqipëri

Tiranë, 20 nëntor 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Në një deklaratë për shtyp, Rama ka vënë theksin tek ndikimi i rrjeteve sociale tek fëmijët dhe adoleshentë, me qëllim parandalimin e ndikimeve negative të këtyre rrjeteve.

“Nga hulumtimet tona janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe akteve të bullizmit deri dhe në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me përgjigje sa më efektive”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë të ditur se po mendohet edhe për mbylljen e rrjeteve sociale TikTok dhe SnapChat në Shqipëri.

“Prej tre ditësh, i madh dhe i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjeçar me thikë nga një adoleshent tjetër.

E gjithë dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjitha familjet që rrisnin fëmijë në botën e sotme ku rrjetet sociale, posaçërisht TikTok-u apo Snapchati, thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët tanë qysh në moshat më të vogla.

Autoritetit i prindërve dhe i mësuesve, si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo në shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, asnjë stimul pozitiv në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe ku jo vetëm edukimit, por deri dhe shëndeti mendor i më të vegjëlve, i adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje.

 Këto janë të vërteta të thjeshta me të cilat nuk është e vështirë të biem të gjithë dakord si prindër apo si qytetar dëshmitar të shoqërisë të kohës të botës së sotme, ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive  tona, por nuk janë po kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte, kaq sfiduese kur shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës, por ende pa asnjë rezultat domethënës.

Ndërkohë çdo prind është dëshmitar i faktit se presioni i tërheqjes së fëmijëve ndaj ekraneve të smartphone-ve bëhet gjithmonë e më i papërballueshëm edhe brenda vetë mureve të shtëpisë.

Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm.

Faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç, deri te Franca e cila po diskuton vendosjen si kusht të aprovimit të prindërve për hapjen e një llogarie online nën 15 vjeç apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri 14 vjeç të mos lejohen të hapin llogari online dhe së fundmi ku kufi është rritur në 16 vjeç. Po përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur  me këto nisma, problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë të cilët nuk është vendi t’i shtjellojmë këtu sot.

Tani, dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për një diskutim të gjerë me të gjithë komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por e përsëris, kompleks në përmbajtjen dhe në zgjidhjen e vet”, është shprehur Rama.

(r.m.)