Rama premton rritje të pagës mesatare dhe 5 mijë lekë shtesë për pensionistët në muajin prill

Tiranë, 29 mars 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vetëm një muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit, premtoi rritje të pagës mesatare, madje e përmendi edhe një shifër prej 900 eurosh.

Në një komunikim me gazetarët, kreu i qeverisë shqiptare tha se në prill pensionistëve do t’u jepen nga 5 mijë lekë të reja plus, një lëmoshë kjo krahasuar me vlerën e taksave që ka mbledhur nga eksportuesit e mëdhenj të energjisë.

“Do flasim për një rritje pagash që synon ngritjen në harkun e këtyre dy viteve, të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synojmë të realizojmë një target të një page mesatare prej 900 eurosh që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në mundësi të njerëzve dhe pas rritje së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes së pagës mesatare. Do të kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë të shkallëzuar, detajet do i diskutojmë pas aktit të miratimit, për një periudhë për 15 vitet e ardhshme. Do i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7%. Ndërkohë që mjekëve specialistë paga iu rrit me 50 mijë leke të reja çdo muaj. Më pas do shkojmë te rritja e konsiderueshme.Për të tjera kategori do kemi rritje të tjera. Jemi në kushtet kur mund t’ju themi se pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë. Sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por dhe informimin konkret se për pensionistët do ketë dhe 5 mijë lekë të reja që do shkojnë bashkë me pensionet që do marrin herën e ardhshme”, tha Rama, transmeton Balkanweb.

Rama mohoi se kodi zgjedhor nuk lejon që qeveria të marrë vendime të tilla në prag të zgjedhjeve. Ai i bëri vërejtje gazetarit që ia shtroi pyetjen lidhur me këtë temë.

“Këto janë çështje dhe zotime që janë marrë denbabaden dhe nuk kanë lidhje me kodin zgjedhor dhe me zgjedhjet. Për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për një mijë e një arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe nga kjo histori ndryshimi kanë marrë më pak, s’duhet t’i shkojë në mendje askujt ta bëjë këtë pyetje. Ky për pensionistët është një adresim në vazhdim i një problemi siç ekzistonte edhe më parë, se qeveria është aty, në mbrojtje të të gjithë familjarëve dhe bizneseve të vogla. S’mund t’u them se do prisni disa muaj se kanë vendosur partitë, ato kinezëritë. I respektojmë ato kinezëri që i kemi bërë vetë, por s’mund t’i shkojë ndërmend njeriu që mund të na pengojë ne të bëjmë këtë gjë për pensionistët”, u shpreh Rama.

“Nuk jemi në kushte të zakonshme dhe nuk mund t’u themi njerëzve prisni edhe katër muaj sepse kështu është puna. Ne do të bëjmë një rritje pagash historike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Është një rritje pagash, ndryshe nga rritjet e tjera që kemi bërë më parë. Por, një rezultat i reformave, përpjekjeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur, për të cilat shumë njerëz thonë përse ne kemi ende paga më të ulëta se sa të tjerët në rajon, pagat nuk rriten sipas qejfit, por në raport me mundësitë për të garantuar pagimin e tyre. Duke qenë se ne i kemi hedhur bazat do ta bëjmë tani reformën më të rëndësishme për njerëzit, të të gjithë strukturës së pagave. Kjo reformë do të impaktojë drejtpërdrejt edhe sektorin privat. Do të hyjmë në një faze ku shteti do të bëhet konkurrent me sektorin privat dhe këtu flas për pagat e larta”, tha Rama.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë efekti pritet të ketë në skemën e pensioneve shtesa e prillit, Rama tha se skemapensionale  varet nga kontributet.

“Pensionet janë të lidhura me diçka krejt tjetër, me kontributet dhe nëse një vend nuk ka siguruar në vite që kontributet të mblidhen dhe pjesa më e madhe e njerëzve i kanë parë kontributet si gjënë e fundit që duhet të mendojnë, nuk ka se si pensionet të jenë të larta. Por, do të bëjmë çmos të rikuperojmë një kohë të gjatë të humbur”, tha Rama.

(r.m.)