Tiranë, 25 shkurt 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti të premten pushtimin rus të Ukrainës si zhvillim që ka goditur themelin e politikës ndërkombëtare dhe shprehu solidaritet me ukrainasit dhe me udhëheqjen politike të Ukrainës.
“(Është) zhvillim që ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”, tha Rama, në një konferencë shtypi pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, të premten në mbrëmje.
“Ka sfiduar edhe të gjithë ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, theksoi ai.
Rama tha se Shqipëria është angazhuar krahas shteteve tjera anëtare të NATO-s të mirëpresë refugjatët që po largohen nga Ukraina.
Ai tha se për dallim nga vendet tjera evropiane që kanë varësi ekonomike dhe tregtare nga Rusia, implikimet e luftës në Ukrainë janë më të vogla për Shqipërinë.
Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e aleancës së shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.
(r.m.)