Tiranë, 3 maj 2024 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij”, të cilin e ka cilësuar si raport “depërtues”.
Rama e ka cilësuar lirinë e shtypit si njërën nga çështjet më të rëndësishme dhe kas shprehur shqetësimin për tendencën globale të kufizimeve të lirisë së medias.
“Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, ka shkruar Rama në platformën “X”.
Por, ai nuk i ka komentuar gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij” për Shqipërinë.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, ka shkruar Rama.
The issue of freedom of information is one of the most important today and I want to thank Reporters Without Borders for their insightful report. We will analyse it carefully, consult with all relevant parties and take further action to improve the media environment, protect…
— Edi Rama (@ediramaal) May 3, 2024
Në Raportin e organizatës”Reporterët pa Kufij” thuhet se politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale të medias në Shqipëri, ndërsa si “veçanërisht shqetësuese” e konsideron politizimin e rregullatorit të medias nga Qeveria “Rama” përmes zgjedhjes së Armela Krasniqit si kryetare dhe politizimit të mëtejshëm të televizionit publik shqiptar përmes emërimit si drejtor të ish-deputetit socialist Alfred Peza.
“Gazetarët kritikë shpesh bëhen shënjestër sulmi që synon t’i diskretitojë ata dhe që organizohen si nga qeveria ashtu edhe nga opozita,” thotë organizata ”Reporterët pa Kufij”.
“Gazetarët kanë vështirësi në sigurimin e informacionit të mbajtur nga shteti, aksesi në të cilin mund të jetë kufizuar edhe më shumë nga një centralizim i kohëve të fundit të komunikimeve të qeverisë”, vëren organizata ”Reporterët pa Kufij”, duke iu referuar krijimit të Agjencisë së Medias dhe Komunikimit nga Qeveria e kryeministrit Edi Rama në vitin 2022.
(r.m.)