Tiranë, 20 korrik 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se Ballkani Perëndimor “nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë”.
Rama i ka bërë thirrje BE-së që “të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore”.
Ai ka paralajmëruar se veriu i Kosovës rrezikon të shndërrohet në një “Donbas të Vogël”.
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të mbetet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë as që veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendase është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga kryengritjet e nxitura nga Rusia dhe as që dialogu të bëhet lojë fajësimi e Ballkanit të Vjetër për mungesën e vullnetit real dhe të fortë të palëve të përfshira në të!
Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, ka shkrua Rama në Twitter.
The EU needs to act firmly to secure a swift implementation of the Basic Agreement. Our region cannot become a hostage of a neverending crisis between Kosova and Serbia. We cannot allow nor the Northern Kosova, where the line between organized crime and local politicis is… pic.twitter.com/3luccJoyFd
— Edi Rama (@ediramaal) July 20, 2023
Kryeministri i Shqipërisë i ka bërë këto komente në një reagim në postimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve që ka zhvilluar të martën me kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Lajçak nuk ka dhënë detaje nga takimet, por ka thënë se “diskutimet do të vazhdojnë në të ardhmen.
Lajçak nuk ka zhvilluar një takim të përbashkët me Bislimin e Petkoviqin, gjë që lë të kuptohet se në takimet e veçanta me ta nuk ka pasur ndonjë përparim në drejtim të pajtimit për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit, me të cilën palët janë pajtuar deklaativisht në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se në takim me Lajçakun është diskutuar për planin e sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, për termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, për termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur dhe për Marrëveshjen për energjinë.
Bislimi ka thënë se pala kosovare është e brengosur me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Ai ka thënë se draftet e Lajçakut “u kushtojnë më shumë vëmendje” kërkesave të Serbisë.
(r.m.)