Tiranë, 26 korrik 2023 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëherit kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, shkarkoi gjithë sekretariatin e partisë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm, Damian Gjiknuri.
Blendi Klosi u caktua ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm deri në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare të partisë që pritet të mbahet në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.
Sipas burimeve brenda partisë, në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare pritet të vendoset për organizimin e një kongresi të jashtëzakonshëm.
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare u mor edhe vendimi që Bledi Çuçi të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, në vend të Taulant Ballës, i cili u emërua ministër i Punëve të Brendshme para pak ditësh.
Shkarkimi i Gjiknurit nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm ishte i papritur për socialistët, pasi Partia Socialiste arriti fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ndërkaq shkarkimi i sekretarëve të tjerë konsiderohet si një përpjekje e Ramës për të mbuluar shkarkimin e Gjiknurit.
Zoti Rama e kishte përdorur pothuajse të njëjtën skemë edhe në mars të vitit 2017, kur ishin shkarkuar ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët ishin në qendër të akuzave publike. Krahas Tahirit e Beqjes ishin shkarkuar edhe dy ministra të tjerë.
Damian Gjiknuri ka qenë ndër emrat më të lakuar nga opozita për çështjen e inceneratorëve, duke qenë se ai ka qenë ministër i Energjitikës dhe Industrisë në vitet 2013-2017 e, pastaj, për pak më shumë se një vit, ka qenë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Emri i Gjiknurit përmendet edhe në dosjen e SPAK-ut ndaj ish zëvendës-kryeministrit Arben Ahmetaj. Aty thuhet se sipërmarrësit që i kishin fituar kontratat për inceneratorët e kishin paguar qëndrimin e Gjiknurit në hotele jashtë vendit të paktën në dy raste. Por, Gjiknuri ka deklaruar se në rastet që përmenden në dosjen e Ahmetajt ai ka qenë në vizita pune dhe se të gjitha shpenzimet janë paguar nga ministria.
Asambleja socialiste votoi të mërkurën, dhe emërimin e ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar socialist, duke kryer kështu një rokadë të plotë me zotin Taulant Balla, i cili mori drejtimin e ministrisë së Brendshme.
Më herët mediet në Tiranë raportuan se ministra e Financave, Delina Ibrahimaj, është shkarkuar nga kjo detyrë. Por, kryeministri Rama e mohoi këtë, pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Edhe zonja Brahimaj mohoi se ajo është shkarkuar nga pozita e ministres. Ajo i cilësoi raportimet për shkarkimin e saj si “thashetheme vere”.
“Janë thashetheme vere. As nuk jam shkarkuar dhe as nuk kam dhënë dorëheqje”, u shpreu ajo.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ishte e mbyllur për medie. Përveç kësaj, si rrallëherë, Rama nuk dha asnjë deklaratë për medien.
Burime brenda PS-së thanë se në mbledhjen e Asamblesë, e cila ka zgjatur rreth 50 minuta, ka folur vetëm Rama.
Sekretarët e shkarkuar:
- Sekretari për Organizimin, Blendi Klosi,
- Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji,
- Sekretare për Burimet Njerëzore Anila Denaj,
- Sekretare për Koordinimin, Blerina Gjylameti,
- Sekretari Dixhital, Etjen Xhafaj,
- Sekretare për Gruan, Etilda Gjonaj,
- Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko dhe
- Sekretari për Migracionin, Laert Duraj.
(r.m.)