Tiranë, 28 korrik 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar Shqipërinë si shtëpi të Amerikës.
Në shënimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqiperise, Rama ka thënë se historia e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Amerikës është e pashembullt.
“Ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, pa asnjë përjashtim, në këtë marrëdhënie ka hyrë në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar edhe këtë nivel dhe thellësi të marrëdhënies tonë me SHBA. Ne sot jemi këtu për 100 vjetorin, sepse më 28 korrik 1922 në ministrinë e Jashtme mbërrit dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se SHBA e njeh qeverinë shqiptare”, ka thënë ai.
Rama ka theksuar se shteti shqiptar mbase as nuk do të ekzsitonte, po të mos e kishte mbështetjen e Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre, sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë, ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Uilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte”, është shprehur ai.
Rama ka folur edhe për periudhën e izolimit të Shqipërisë komuniste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota demokratike. Ai ka theksuar se ka qenë pikërisht komunizmi dhe liderikomunist Enver Hoxha që i kanë shtyrë shqiptarët ta duan edhe më shumë Amerikën.
“Në njëfarë mënyre Enver Hoxha është njeriu që ka punuar më shumë se ne të tërë për këtë ditë që jemi këtu. Ka punuar gjysmë shekulli për ta kthyer Shqipërinë dhe për t’i kthyer shqiptarët në dashnorët më të paepur të SHBA-së. Të gjitha ato që regjimi komunist i bëri për t’i laruar shqiptarët nga SHBA u përkthyen në kalimin e shqiptarëve në ekstremin tjetër”, ka theksuar ai.
Rama e ka vlerësuar të pazëvendësueshme mbështetjen e diitëve të sotme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë. Ai ka thënë se Shqipëria nuk do të ishte çfarë është sot, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nëse do ta parafytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre 30 viteve pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse mund të kishim lirinë dhe mund t’i kishim hapur vetes rrugën për të ndërtuar demokracinë, e marrim vetë me mend se çfarë do ishte Shqipëria sot – gjithçka tjetër, por jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, gjithçka tjetër, por jo një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për t’u ndarë nga e shkuara”, ka thënë ai.
Rama ka theksuar gjithashtu se në Shqipëri nuk ka asnjë forcë politike antiamerikane, përkundër qëndrimit kritik të një pjese të opozitës ndaj politikës amerikane në Shqipëri.
“E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane. Dhe edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrje, jo ndaj SHBA-së por ndaj politikës së SHBA-së, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën. Madje deri në pikën që ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikanë”, është shprehur ai.
Rama ka folur edhe për zhvillimdet aktuale në Ballkan dhe për qëndrimin e Shqipërisë në këtë kontekst. Ai e ka afirmuar edhe një herë nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, për të cilin ka thënë se e ka edhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me ‘Ballkanin e Hapur’, që është një projekt 100 për qind i dakordësuar dhe 100 për qind i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara, e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, të mos jetë më kurrë kërcënim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh se si historia nuk duhet të përsëritet”, ka theksuar Rama.
Në manifestimin e shënimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, ishin të pranishëm edhe presidenti Bajram Begaj, ish-presidenti Ilir Meta, ministra e zyrtarë të tjerë të lartë tështetit shqiptar, si edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, dhe përfaqësues të huaj diplomatikë.
(r.m.)