Tiranë, 26 nëntor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria dhe Kosova do të diskutojnë për një Abetare të përbashkët.
Në mbledhjen e përbashkët e qeverive të dy shteteve, Rama tha se është objektiv që kjo të realizohet në vitin 2022, i cili është një vit jubilar për pavarësinë e Shqipërisë.
Deklarata e Ramës:
Dëshiroj të ndaj me ju një gjë që e di që do të japë kënaqësi ta dëgjosh. Me siguri e ke marrë vesh, ne kemi dakordësuar në qeveri, në mbledhjen e fundit, të punojmë që në vitin e ardhshëm, vit jubilar për pavarësinë e vendit tone, të kemi gati Abetaren e unifikuar.
Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit dhe prej shumë vitesh është një libër që, bazuar dhe në ligjn e arsimit, njësoj si librat e tjerë, është trajtuar si tekst me shumë alternativa.
Ne jemi dakordësuar të kemi vetëm një Abetare. Me kënaqësi duam ta ndajmë bashkë këtë objektiv në mënyrë që nëse biem dakort sot të kemi një abetare të gjuhes shqipe në Shqipëri e Kosovë, e pastaj në të gjitha trojet apo hapësirat ku fëmijët mësojnë e lexojnë gjuhën shqipe.
Do të na duhet një punë cilësore për të bërë një libër të shenjtë laik të të gjithë shqiptarëve, që do të mbetet edhe si objekt i çmuar në të gjitha biblotekat e atyre që e mbajnë Abetaren për ta mësuar e pastaj e kanë si kujtim, pra një libër që edhe nga pikëpamja e objektit të ketë një vlerë të caktuar”, u shpreh Rama.
(r.m.)