Rama tha se nuk di detaje të kontratës për inceneratorët

Tiranë, 24 shkurt 2022 – Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se ai nuk i di në detaje të gjitha vendimet që i firmos dhe se ky proces ndodh pa i parë dokumentet, por vetëm e hedh firmën në secilën prej tyre.

Këtë veprim, kreu i qeverisë e justifikon me faktin që çdo dokument që i paraqitet për firmë, ka kaluar një zinxhir të tërë institucional dhe ligjor.

Ishte deputeti Belind Këlliçi që ia tregoi Kryeministrit një dokument ku pretendon se kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë mendim për dhënien e koncesionit të impiantit në kryeqytet për shfrytëzim për 30 vite.

Në përgjigje, Kryeministri Rama shpjegoi se si funksionon procesi i hedhjes së firmës.

“Një vendim është në tavolinë pasi është bërë i gjithë diskutimi. Është rënë dakord, është thënë si do arrihet. U vendosën të gjitha këto, në momentin që fillon procesi janë totalisht gjëra të tjera. Më vijnë të gjitha ato dosje, unë i firmos tak-tak. Firma ime është e fundit, pasi ka kaluar një zinxhir të tërë. Unë nuk hyj në detaje të natyrës juridike, nuk janë të miat”, tha Rama.

SUPERVIZORI

Deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati e pyeti Kryeministrin se si ka mundësi që pronari i tre koncesioneve, përzgjodhi dhe pagoi vetë supervizorin e tij për llogari të shtetit. Për kreun e qeverisë ky është një veprim që parashikohet në ligj, për të cilin shprehu edhe vetë atij i tingëllon keq.

“Unë nuk thashë këtë, unë thashë që unë kam një kornizë që unë punoj. Roli im është i përcaktuar. Unë nuk merrem me supervizorë. Kjo është kryerja e detyrës së tyre. Ligji e ka kështu që supervizorin e zgjedh kompania me disa alternativa. Komisioni të sjellë dhe rekomandime, rekomandoni që keni parë këtë gjë dhe ta shikojmë. Edhe mua, kur e dëgjoj kështu siç e thua ti, më tingëllon keq. Këtë e ka ligji, por, me shumë gjasë, ekspertët mund të thonë: ‘dale, ju e keni gabim”, tha Rama.

Nga ana e tij, deputeti i PD-së iu kthye kreut të qeverisë, duke i thënë se kjo dispozitë është vendosur apostafat në kontratë për të favorizuar koncesionarin nga supervizori.

“Në kontratë apostafat është vendosur kjo dispozitë e tillë e jashtëligjshme. Nuk ka nevojë për të ndryshuar ligjin, por duhet zbatuar ligji. Është vendosur qëllimisht në kontratë kjo klauzolë”, tha Bushati.

Pyetjes së Bushatit në lidhje me faktin se pse nuk është bërë prokurim publik për zgjedhjen e kompanive për inceneratorët e Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës, Rama tha se procedura ka qenë ligjore, “një procedure me një formule të kombinuar”.

Kujtojmë që supervizori i kompanive të inceneratorëve është kompania “Ave Consulting” sh.p.k. me drejtues Arben Dervishaj, i cili ishte paguar mbi 700 mijë dollarë për konsulencën e dhënë ndaj Klodian Zotos. Emri i zyrtarit të FSHF-së, anëtar i Komiteti ekzekutiv, u bë i ditur nga vetë administratorja Arjola Kodra.

Sipas opozitës, supervizori nuk e ka kryer detyrën e tij për të kontrolluar efektivitetin e shpenzimeve apo punën e kryer në incenerator.

(Panorama.al)