Rama tregon përse do të pyeten qytetarët përmes pyetësorit

Tiranë, 19 janar 2022 – Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar nismën e qeverisë për Këshillimin Kombëtar.

Në një videomesazh të shpërndarë në faqen e tij të Facebook, Rama u shpreh se qeveria do t’u shpërndajë pyetësorë qytetarëve pyetësorë ku do të shprehin mendimin e tyre mbi çështje të ndryshme që prek jetën e tyre.

Pyetësorët mund të plotësohen edhe online, në platformën e qeverisë.

Rama tha se pika të Këshillimit Kombëtar do të hapen dhe në çdo bashki.

“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni dita-ditës me një nisëm të re të qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike. Çdo shtëpi shqiptare do të marrë  një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki”, tha Rama.

Në mesazhin e tij, Rama tha se është koha që të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesat personale të marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës.

“Është koha të nxjerrim të gjithë mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra “i djathtë” “i majtë”,  të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit. Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”, tha Rama.

(Panorama.al)