Rama vendos ”taksim special” për prodhuesit e energjisë elektrike

Tiranë, 20 tetor 2022 – Qeveria shqiptare ka në plan të sekuestrojë rreth 70 milionë euro nga fitimet e kompanive private të prodhimit të energjisë elektrike në formën e një “taksimi special”, bëhet e ditur nga relacioni i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, publikuar së fundmi nga Ministria e Financave.

“Fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%. Të ardhurat e pritshme vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë,” thuhet në relacion.

Prodhimi privat i energjisë elektrike në Shqipëri është rritur nga 1.6 miliardë kWh në vitin 2017 në 3.6 miliardë në vitin 2021 ndërsa pesha e tyre në prodhimin e përgjithshëm të vendit është rritur në deri 40%. Prodhuesit privatë kanë ndërtuar hidrocentrale në lumenj dhe përrenj me kontrata parablerjeje nga ana e konsumatorit dhe përgjatë viteve të fundit duket se kanë përfituar nga çmimi më i lartë i ofruar në Shqipëri se sa në rajon. Por situata duket se është përmbysur këtë vit me çmimet në rajon në stratosferë, gjë që ka nxitur prodhuesit të dalin në eksport në vend që të shfrytëzojnë kontratat e paracaktuara të blerjes me operatorët publikë në Shqipëri.

Plani i qeverisë për tatim fitimi në masën 33% sugjeron se këto kompani pritet të realizojnë të ardhura sugjeron se fitimet e pritshme të tyre për këtë periudhë krize mund të arrijnë në afro 25 miliardë lekë. Masa gjithsesi mbetet për t’u parë për nivelin e efikasitetit pasi skema duket se sugjeron se çmimet e energjisë do të vijojnë të mbeten shumë të larta edhe gjatë vitit të ardhshëm në një kohë që mund të mos ndodhë kështu. Gjithashtu, disa nga kompanitë më të mëdha në treg duket se kanë humbje të akumuluara nga vitet e mëparshme dhe për rrjedhojë, mund të mos kenë fitime fiskale të taksueshme.

(Reporter.al)