Kryeministri Edi Rama viziton shkollën e rindërtuar “Lasgush Poradeci”

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ministërja e Arsimit, Evis Kushi dhe kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kanë vizituar ditën e sotme shkollën e rindërtuar dhe të hapur për nxënësit “Lasgush Poradeci” në Kombinat.

Bashkë me ta kanë qenë edhe përfaqësues të shtetit të Katarit, shteti i cili mundësoi edhe fondet për ngritjen e institucionit.

Teksa kanë parë nga afër punimet, kryeministri Edi Rama nuk ka kaluar pa i rënë në sy edhe disa defekte që sipas tij duhen rregulluar në zonën e palestrës së jashtme të shkollës. Këtë ai ia ka bërë me dije edhe Veliajt, i fundit ky që u përgjigj se është diçka që mund të rregullohet shumë shpejt.

Më pas Rama ka shkuar në palestrën e brendshme të shkollës ku u has me një nxënës, i cili ishte duke luajtur basketboll. Rama nuk iu nda derisa ai e bëri koshin dhe të gjithë bënë tifo për të.

Top Channel

Kryeministri Edi Rama foli për projektet e reja që qeveria parashikon të bëjë nëpër shkolla, ku theksoi se ashtu siç është futur anglishtja që në klasë të parë, së shpejti do të futet qysh në klasë të parë edhe teknologjia.

Nga Kombinati, ku mbajti fjalën e tij në aktivitetin për përurimin e shkollës dhe kopshtit “Lasgush Poradeci”, të rindërtuar pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri premtoi edhe biblioteka në shkolla, si dhe hapësira sportive e kulturore.

“Me shumë vëmendje dhe me shumë energji ne do të përmbysim komplet këtë trashëgimi të të gjithë këtyre viteve të vështira, duke pasur parasysh faktin që tani i kemi mundësitë. Me kushtet e sotme ne mund ta nisim këtë fazë të re për shkollën, për fëmijët, për komunitetet, në çdo shkollë e pranë çdo shkolle”, tha kryeministri.

Më tej, Rama iu përgjigj edhe kritikave të opozitës për fondet e mbledhura nga partnerët ndërkombëtarë pas tërmetit, duke thënë se të gjitha miliardat e të huajve administrohen dhe investohet prej vetë atyre dhe të gjitha miliardat e qeverisë shqiptare investimet nga vetë qeveria.

 

 

“Sa i përket zbatimit të projekteve, të gjitha projektet e financuara nga të gjithë partnerët, që nga BE e deri te qeveria e Katarit, janë financime të administruara nga ata vetë. Pra, të gjithë atyre që vazhdojnë e flasin për miliarda, që i mori në thes qeveria e Shqipërisë, dua t’ju themi se asnjë qindarkë e atyre investimeve të bëra nga qeveria e Shqipërisë nuk është një qindarkë e partnerëve, dhe asnjë qindarkë e partnerëve nuk është e administruar nga qeveria e Shqipërisë”, shtoi më tej ai.

Fjala e kryeministrit Rama:

 

Dua të falënderoj miqtë nga Katari, të cilët bashkë me të tjerë na u gjendën në një moment tmerrësisht të vështirë, kur bota u përmbys për mijëra e mijëra familje, që humbën shtëpinë, mbetën pa çati në pak sekonda, dhe për mijëra e mijëra nxënës që humbën shkollën dhe u detyruan të lëvizin në shkolla të tjera. Për hir të së vërtetës, shumica dërrmuese e atyre që u goditën më fort nga tragjedia e tërmetit, as që nuk e besonin se shumë shpejt gjërat do të ndryshonin dhe se familjet do të ktheheshin në shtëpi shumë më të bukura, më të forta, dhe nxënësit në shkolla që nuk kanë të krahasuar me ato që ishin para tërmetit.

Gjërat rrodhën ndryshe dhe, falë edhe solidaritetit që u krijua në atë moment, falë edhe miqësive që me durim e përpjekje të mëdha kemi forcuar në këto vite, përfshirë edhe miqësinë me miqtë që janë sot këtu nga Katari, ja ku jemi dhe patjetër që kemi arsye shumë më të forta sot, se ç’kishim përpara tërmetit, për të besuar te vetja, tek e ardhmja jonë.

Kjo është zona ku do të ndërtohet një nga zonat më të mëdha të rindërtimit. Është një nga projektet më të mëdha, në mos më i madhi, ndaj duhet pak më shumë kohë se për ndërtimin e shtëpive individuale apo lagjeve më të vogla. Lagjja e re që do të ndërtohet këtu do të jetë njësoj si kjo shkollë, për nga impakti transformues. Dua t’i garantoj të gjithë se jo vetëm që nuk kemi lënë asnjë ditë të shkojë kot, por vazhdojmë të punojmë pa orar, se bashku me Bashkinë e Tiranës, për të garantuar që shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do të ndërtohen në zonën e Kombinatit, të bëhen realitet një orë e më parë.
Dëshiroj t’iu them nxënësve se ne do të shkojmë shumë përtej infrastrukturës së re dhe për këtë arsye do të angazhohemi shumë qenësishëm që me vitin e ardhshëm, por edhe vitet në vijim, për të kthyer fonde dhe vëmendje te më të rinjtë, më të vegjlit, dhe për t’i transformuar shkollat jo vetëm në hapësira të rindërtuara për të marrë mësim, por edhe në hapësira për t’u organizuar në aspektin social, kulturor, sportiv, dhe të gjitha këto hapësira të re, palestra të reja, salla të reja, të jenë në shërbim të një jete të re në shkollë dhe të mbushjes me energji pozitive të asaj kohës nga klasa në shtëpi, nga banka në shtrat për të fjetur e për t’u zgjuar të nesërmen.

Me shumë vëmendje dhe me shumë energji ne do të përmbysim komplet këtë trashëgimi të të gjithë këtyre viteve të vështira, duke pasur parasysh faktin që tani i kemi mundësitë. Me kushtet e sotme ne mund ta nisim këtë fazë të re për shkollën, për fëmijët, për komunitetet, në çdo shkollë e pranë çdo shkolle.
Ndërkohë ne e kemi parë në vijim se ndërtimi i shkollave, i mureve të shollave, sado të forta e të bukura të jenë ato, është i pamjaftueshëm, ashtu sikundër është e pamjaftueshme të kemi klasa mësimi, nëse nuk kemi biblioteka të pasura në shkollë, laboratorë me standardet më të mira në shkollë, nëse nuk kemi gjithë mbështetjen që i duhet dhënë procesit mësimor me infrastrukturën suplementare, që i shërben zhvillimit të mëtejshëm përmes eksperimenteve, aktivitetit jashtë klasës. Do të bëjmë një ndryshim të qenësishëm për laboratorët, duke filluar nga 2022, sepse kemi vendosur një buxhet për këtë, do bëjmë ndryshim të qenësishëm për informatikën, siç kemi futur qysh në klasën e parë anglishten, do fusim edhe mësimin e teknologjisë qysh në klasën e parë, duke ju dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses në një mësim praktikë, që do të thotë mjete të teknologjisë, sistem tërësor të teknologjisë, në mënyrë që të përgatisim vajza e djem për një treg të madh global, ku mund të hyhet dhe të punohet, por edhe fitohet, shumë më tepër, pa qenë nevoja për të lëvizur nga shtëpia.

Do të investojmë shumë seriozisht edhe për të pasur biblioteka prej vërteti. Ato që kemi sot janë rafte të mbushura pjesërisht në mënyrë shumë modeste. Ndërkohë që është e mundur që bibliotekat e shkollës të jenë të pasur dhe të organizuara në funksion të atyre që duan të ruajnë e forcojnë kontaktin me librin.
Sa i përket zbatimit të projekteve, të gjitha projektet e financuara nga të gjithë partnerët, që nga BE e deri te qeveria e Katarit, janë financime të administruara nga ata vetë. Pra, të gjithë atyre që vazhdojnë e flasin për miliarda, që i mori në thes qeveria e Shqipërisë, dua t’ju themi se asnjë qindarkë e atyre investimeve të bëra nga qeveria e Shqipërisë nuk është një qindarkë e partnerëve, dhe asnjë qindarkë e partnerëve nuk është e administruar nga qeveria e Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë së bashku me bashkitë thjesht ka shoqëruar procesin e partnerëve, duke iu garantuar që projektet janë projektet e duhura, kaq. E gjithë pjesa tjetër është një punë e ndarë më së miri, duke i bashkuar forcat dhe duke i përcaktuar shumë mirë kufijtë, ku secili ka marrë përsipër të bëjë një pjesë të punës dhe e ka bërë atë në mënyrë të shkëlqyer. Duke u kthyer te lagjja e re e Kombinatit, është 100% investim i qeverisë shqiptare. Të gjithë ata që janë në pritje për të hyrë në shtëpi, t’i bëjnë hallall të gjitha ditët e netët, që nuk kanë qëndruar jashtë, por që i kanë kaluar e do i kalojnë të gjitha ditët deri në fund në shtëpi me qira të paguara nga qeveria e Shqipërisë.

(BalkanWeb)