Kryeministri Edi Rama ka folur pas homazheve të mbajtura në nderim të nënkomisarit Saimir Hoxha që u vra dje në krye të detyrës. Rama tha se është një çast i rëndë për të gjithë dhe i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të tij.
Ai theksoi se mbështetja financiare nuk e kompenson boshllëkun për familjen, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndihen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin.
“Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë së Shtetit. Patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen dhe duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut, por edhe të gjithë punonjësve të policisë, e shoh të udhët të bëj me dije se qeveria ka vendosur sot mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, por njëkohësisht me të hyrë në fuqi ligji i përcjellë në parlament pas mbledhjes së parë të qeverisë për fëmijët, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë. Natyrisht nuk ka fonde dhe nuk ka mbështetje materiale që kompenson boshllëkun për familjen, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndihen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin, të cilit babai i shërbeu deri në momentin e fundit”, tha Rama.balkanweb