Ramazan në kohën e COVID-it

Intervistë me imamin Gazmend Aga, udhëheqës në Komunitetin Mysliman Shqiptaro Amerikan në Waterbury (Connecticut), për Muajin e Ramazanit në një kohë të pazakontë, si kurrë më parë në kujtesën tonë
 
 
Nga Ruben Avxhiu

Përshëndetje Gazmend Aga, ky është një Ramazan si kurrë ndonjëherë në jetën tuaj besoj. Si po e përjetoni në komunitetin tuaj në Waterbury? Cilat janë ndryshimet më të dukshme?

Për besimtarët në mërgatë xhamia nuk është veç një vend ku adhuron Zotin, por edhe një pikë takimi, një vend social, ku takohesh me bashkatdhetarët e tu dhe ndan gëzimet dhe hidhërimet. Pavarësisht se ne vazhdojmë ti shërbejmë anëtarëve në raste fatkeqësie, organizimi komunitar i mungon të gjithëve. Sidomos gjatë Muajit të Ramazanit komuniteti ynë është shumë aktiv me iftare, aktivitete ndërfetare dhe faljet e përbashkëta.

Megjithëse situatë e pazakontë, anëtarët tanë vazhdojnë përpjekjet për të mirë të komunitetit. Në pamundësi të organizimit të festivalit shqiptar, AAMC sapo lançoi një nismë ku anëtarët do të gatuajnë ushqime shqiptare dhe do i shesin për të mbështetur komunitetin. Ky është shembull I mrekullueshëm për të rinjtë. A ka mirësi më të madhe se të shohësh nënën dhe babain që përpiqen për dicka e cila nuk I sjell ndonjë përfitim material, por që I shërben një kauze të madhe.

 

Çfarë udhëzimesh keni dhënë për komunitetin tuaj, për këtë muaj të Ramazanit?

Muaji i Ramazanit vjen me begatitë e mëdha. Është muaji I shpresës dhe ritakimit me vetveten. Agjërimi e pastron njeriun fizikisht dhe shpirtërisht. I kujton atij dobësitë e veta dhe e lartëson në nivelin e engjëjve. Besimi ynë në Zot vazhdon pavarësisht se format si po e praktikojmë këtë besim ka disa nuanca ndryshe nga vitet e tjera. Kjo situatë po na kujton se duhet ta kthejmë shtëpinë tonë në një xhamizë të vogël, në një shkollë të vogël, në një fole të vërtetë lumturie. Ne besojmë se në këtë muaj Zoti hap dyert e xhenetit dhe mbyll dyert e xhehenemit. Në këtë muaj ndodhet një natë më e rëndësishme se një jetë, Nata e Kadrit.

Udhëzimet parësore janë në lidhje me ruajtjen e shpresës dhe shëndetit. Fetarisht jemi të obliguar të mos e vëmë jetën në rrezik e të mos agjërojmë në rast sëmundjeje. Iftaret e përbashkëta do ti vazhdojmë nëpërmjet Zoomit 😊 Komuniteti ynë ka qenë prej të parave që ka limituar aktivitetin dhe ka udhëzuar anëtarët të ruajnë distancat sociale. E njëjta vlen edhe për muajin e Ramazanit.

 

A është prekur komuniteti nga epidemia? A ka pasur të sëmurë apo jetë të humbura, me aq sa keni ju informacion?

Fatkeqësisht ka patur të infektuar madje edhe disa viktima. Cdo jetë njeriu vlen sa një botë, sidomos për të afërmin e tij, por ngushëllohemi me faktin që raporti i të infektuarëve dhe viktimave në krahasim me popullaten e madhe të shqiptarëve eshtë i ulët.

 

A ka organizim komuniteti për të ndihmuar ata në nevojë?

Ka shumë anëtarë të komunitetit që janë bërë pjesë active e nismave të ndryshme. Që në krye të herës, tre anëtare rrobaqebëse prodhuan maska falas për qytetin. Komuniteti po ashtu akoma organizon fushata për të ndihmuar sidomos punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë heronjtë tanë. Kemi dhe shqiptar të komunitetit tonë që janë mjekë, infermjerë etj, të cilët janë në vijën e parë të përballjes. Jemi krenar me ta.

 

Si është gjendja shpirtërore e morale e bashkatdhetarëve në këtë periudhë krize?

Kjo periudhë na kujtoi diçka të rëndësishme; përveç vlerave të përbashkëta universale, të gjithë ne si njerëz ndajmë të njëjtën botë dhe shpesh kemi të njëjtat probleme. Asnjë komunitet nuk është imun ndaj kësaj situate. Ajo që dallon popujt si shqiptarët është pikërisht ndjenja komunitare. Problemi më I madh gjatë kësaj periudhe në vendet si Amerika ka qenë vetmia. Kur njeriu përballet me pasiguri për të ardhmen dhe ndodhet I vetmuar, mund të shfaqen komplikacione nga më të ndryshmet. Shqiptarët akoma e kanë të shëndoshë bërthamën e familjes, bashkëbisedimin me shoqërinë dhe kjo e ka lehtësuar goxha situatën. Në qytete si Waterbury, ku bashkatdhetarët janë të organizuar edhe si komunitet, atëherë vetmia, ankthi, hallet dhe problemet bëhen më të përballueshme. Në krahasim me shumë komunitete të tjera, mund të them se shqiptarët po e përballojnë më të fortë psikologjikisht dhe shpirtërisht.

 

A mund të na përshkruani një ditë nga jeta juaj, për shembull, gjatë muajit të shenjtë, apo edhe më parë? Çfarë punësh ju marrin ditën etj.

Pyetje e vështirë. Përpjekja për mirë dhe dhënia e kontributit për shërimin e plagëve të komunitetit janë synimi im të cilit i kam dedikuar jetën. Pas Komunizmit, shumë djem e vajza të talentuar të të gjitha besimeve zgjodhën këtë rrugë. Unë njëkohësisht jam Kapelan (chaplain) në Sacred Heart University dhe po ashtu Chaplain në systemin e burgjeve të shtetit të Connecticut. Jam I nderuar që së fundmi jam pjesë e Bordit komunitar të Spitalit Saint Mary në Waterbury.

Në ditën time ka vend koha me familjen, vizita të anëtarëve të komunitetit, tashmë e zëvendësuar me biseda telefonike, media sociale, aktivitetet akademike dhe dialogu ndërfetar. Gjatë këtij Muaji Ramazani bashkëbisedimet online me komunitetin, leximi I Kuranit, përpjekja për të ndihmuar njerëzit në nevojë janë disa prej prioriteteve.

Para Covid 19, të paktën një ditë në javë ka vend edhe shkolla shqipe, ose pasioni im të cilën shpresoj ta vazhdoj aq sa të mundem.

 

Ju keni krijuar një bashkëpunim të bukur me një klerik të krishterë dhe një rabai hebre. Tri Amigos, në mos gaboj. Si shkon ai bashkëpunim, si janë marrëdhëniet ndërkomunitare në qytet?

Unë jam shqiptar mysliman dhe nuk kam bërë asgjë ndryshe nga ç’kanë bërë të parët e mi këtu si Vehbi Ismaili, i cili është modeli im i klerikut në të gjitha aspektet; ai ishte një atdhetar i mirë, besimtar i mirë, teolog i aftë, intelektual dhe aktivist i palodhur. The Three Amigos, të cilët me 7 Maj do të jenë live në një emission të drejtuar nga një gazetare e njohur në Connecticut, janë pasqyrë e anëtarëve të tyre. Tashmë ne jemi më shumë se miq. Takohemi bashkë në raste të ndryshme, flasim për tema të ndryshme dhe thellojmë miqësinë, por ndërkohësisht edhe mundohemi të japim shembullin tonë produktiv në një kohë ku fatkeqësisht Akoma nuk është zhdukur antisemitizmi, islamophobia, ksenofobia etj. Vitin e kaluar mbi 400 anëtarë të tre komuniteteve u mblodhën në sinagog, kishë dhe xhami. Shakatë nuk mungojnë dhe kemi bërë edhe një ndarje rolesh ku rabini është I mençuri, prifti I mirid dhe imami simpatiku. Më duhet të pranoj se titullin tim e zgjodha vetë 😊

Tashmë në qytetin e Waterbury ne kemi edhe një grup intelektualësh me drejtues fetarë, gazetarë, doktorë, avokatë dhe drejtues të shoqërisë civile me të cilët një herë në muaj mblidhemi dhe diskutojmë problemet e qytetit dhe përpiqemi të ofrojmë kontributin tonë.

 

Sa shqiptarë jetojnë, me sa informacion që keni, në Waterbury? Sa prej tyre janë të ardhur të rinj, dmth të periudhës së paskomunizmit apo pas luftës në Kosovë?

Komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan në Waterbury, AAMC, i ka themelet e forta me një gërshetim të bukur të ruajtjes së traditës së vendlindjes dhe përqafimit të vlerave të atdheut të ri, Amerikës. Jam krenar që shërbej në një komunitet I cili vlerësohet prej dekadash nga të gjithë përfaqësuesit lokalë dhe shoqërisë civile. Një nga shembujt më të bukur të komunitetit tonë është ruajtja e traditës së bashkëjetesës. Megjithëse në SHBA, bashkëjetesa ndërfetare tashmë është një realitet, vëllazëria e reflektuar nga shqiptarët mbetet një asset i vyer. Besohet të ketë mbi 25 000 shqiptar në Waterbury dhe qytetet përreth. Mbi 90 % mendohet të kenë ardhur pas viteve 90. Vlen të përmendet mikpritja model e brezit të vjetër të cilët akomoduan shumë familje të reja. Ky është edhe shpjegimi pse kanë ardhur kaq shumë shqiptar në një shtet të vogël si Connecticut-i.

 

Çfarë mesazhi keni për besimtarët myslimanë në këto ditë të Ramazanit?

Asnjë problem nuk është i përjetshëm. Kjo kohë do të kalojë dhe ne do t’i rikthehemi jetës komunitare. Le të nxjerrim më të mirën nga çdo situatë. Të shijojmë fëmijët. Le ti mësojmë shqip, t’i mësojmë thesaret e panumërta të bësimit në Zot. Ndajmë të njëjtën shtëpi. Të agjërojmë, të lutemi për mbarë njerëzimin, ta ndajmë kafshatën me të varfërin. Profeti Muhamed thotë se “Kush e Agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet që ka kryer më parë.” Të shpresojmë se Bajrami do të na gjejë me mëkate të falura dhe me sëmundje të shëruara. Le të jetë një Bajram ku mund të përqafohemi me motrat dhe vëllezërit tanë pavarësisht fesë dhe çdo përkatësie tjetër.

Një mesazh i veçantë për të gjithë shqiptarët e Amerikës është në lidhje me komunitetin. Të investojmë për Komunitetin tonë, qoftë xhami apo kishë. Le ta përcjellim te brezi i ri këtë trashëgimi të jashtëzakonshme që na kanë lënë të parët tanë shqiptaro amerikanë.