Nga Keze Kozeta Zylo
Diaspora shqipare amerikane nga zonat e trishtetëshit New York, New Jersey, Connecticut dhe më gjerë morën pjesë në koncertin Gala që u shfaq në St George Theater, Staten Island, një nga ikonat e teatrit të Nju Jorkut në ishullin e bukur të Staten Island që rrethohet nga uji i oqeanit, Yjet, Hëna dhe Dielli që shndrit në agun e mëngjesit.
Koncerti Gala ishte mirëmenduar qysh më parë nga Artistic Promotion që drejtohet nga Dëshira dhe Arian Kërliu një çift i mrekullueshëm artistësh. Më duhet të them që në fillim se këto organizime nuk i kanë për herë të parë, pasi ata kanë sjellë pranë skenave të Nju Jorkut divën shqiptare Inva Mula dhe pinanistin virtuoz Genc Tukiçi, ku si anëtarë të grupit bashkëpunues njohëm më nga afër Invën dhe Gencin jo vetëm artistë, por dhe oratorë të shkëlqyer dhe mbi të gjitha me aq shumë mirësi shprehnin mirënjohjen për këto organizime të këtij lloji.
Pjesëmarrësit grupe grupe të organizuar dhe me gëzimin qe iu ndrinte në sy zunë vendet për të kaluar një natë të bukur artistike në ditën e fundit të javës. Nderonte me pjesëmarrjen e tij Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në NY, Ambasadori Blerim Reka, familja e madhe dhe patriote Rusi, Bruno Selimaj biznesmen tejet i suksesshëm etj.
Morën pjesë personalitete të shquara të Diasporës si Botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami me bashkëshorten e tij Gena Bajrami, TV Alb me bashkëpronare Drenusha Dreshaj dhe familjen e saj, z. Agim Rexha President Nderi i Vatrës, editore e gazetës “Dielli” në anglisht Rafaela Prifti e shumë të tjerë.
Mjediset e këtij teatri janë mondane, me një arkitekturë magjepsëse që mbajnë brenda mijëra histori artistësh të famshëm. Dhe ja në natën e 12 prillit në muajin e bukur të pranverës ku bujisin pemët dhe natyra dy artistë shqiptarë u shfaqën në skenë plot elegancë dhe harmoni në intepretimet e tyre.
Moderatori i këtij koncerti Bledar Maqellara një artist dhe tenor plot të ardhme, një djalë që e ka parë skenën qysh fëmi, të kultivuar nga babai i tij Agroni dhe xhaxhai i tij Haxhi Maqellara dy artistë të mirënjohur, të dashur popullorë e drejtoi me shumë elegancë dhe profesionalizëm.
Bledari ka një vend shumë të veçantë në kete teatër. Pasi ka luajtur në ketë skenë si Inspektori Javert kur kasti i produksionit të Susan E. Wagners të “Les Miserables” u ftua të performonte dy shfaqje në 2011.
Moderatori tha: “Mirë se keni ardhur në Koncertin Gala me dy artistët e mëdhenj Rame Lahaj dhe Dëshira Ahmeti Kërliu që kanë pushtuar sonte Saint George Theater në Staten Island New York. Ata do të intepretojnë nën drejtimin e pianistes së njohur Elda Laro.
Sonte në këtë mbrëmje Gala do te kemi një natë festive, një natë te mbushur me art, muzikë, dy artistë të shquar që do të performojnë në këtë Teatër një nga ikonat e teatrove në New York dhe në Amerikë.
Sipas faqes zyrtare Rame Lahaj është një tenor nga Istogu i Kosovës. Ai njihet për performancat e rregullta në teatrot e operës në botë.
Ai ka bashkëpunuar me legjendën e operës botërore Plaçido Domingo.
Dëshira Ahmeti me origjinë nga Dibra e Madhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, Ajo punoi në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, gjithashtu eshte e punësuar si e vetmja shqiptare në Teatrin e Maqedonisë, në Shkup.
Ajo ka luajtur në skena prestigjioze, Amerikë dhe në Europë, dhe në ngjarje të mëdha të Atdheut,
Në skenë për të performuar hyri i pari Rame Lahaj i cili u mirëprit me duartrokitje shoqëruar nga pinaistja dhe dirigjentja Elda Laro. Elda Laro ka mbaruar studimet për piano në Paris dhe në Torino. Elda Laro është dirigjente e stafit në Deutsche Oper në Berlin.
Rame Lahaj e hapi programin me Ch’ella mi creda from La faniciulla del West me kompozitor Giacomo Pucini. Pastaj ka vazhduar me Dëshira Ahmeti Kërliu magjishëm nën duartrokitje të zjarrta.
Natyrisht duke qenë teatri i mbushur më së shumti me një publik shqiptar, interpretimet nga dy artistët e shquar në këngët shqipe si Bishtalecat palë, palë, nga Rame Lahaj, apo Shqipëri o vendi im nga Dëshira Ahmeti elektrizuan sallën dhe u mirëpritën duke i shoqëruar me duartrokitje të herë pas hershme.
Dëshira dhe Arian Kerliu e bën të mundur Koncertin Gala në saje të mbështetjes së madhe të disa sponsorëve, por sponsori gjeneral ishte Biznesmeni i suksesshëm në Amerikë
z.Sal Rusi. Ajo falënderoi nga thellësia e zemrës familjen Rusi shtëpinë e tyre të quajtur ndryshe si Shtëpia e Bardhë e cila ka mirëpritur personalitete të larta të politikës amerikane si Hillary Clinton, Gjenerali Klark dhe shumë të tjerë. Ishin dhe shumë biznesmenë të tjerë që mbështetën këtë koncert.
Mbrëmja kaloi në një atmosferë festive ndonëse pjesëmarrësve iu mungoi Orkestra Simfonike e New York-ut me dirigjentin shumë të njohur Steve Fang, pasi siç e shpjegoi vetë Lahaj se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore pranoi të intepretonte vetëm nën shoqërimin e pianistes Laro.
Pas koncertit sponsor, bashkëpunëtorë të ngushtë, miq të artistëve ishin të ftuar në
“Blue Restaurant”, një restorant shumë i njohur që ka për pronar z.Julian Gaxholli një atdhetar i dashur, pronar i restoranteve Blue, Bayou dhe Beso. Ishte një atmosferë nën tingujt e muzikës nga dy artistë Did Tezha në kitarë dhe Elis Lloshi DJ.
Koncerti Gala së shpejti do të transmetohet në TV “Alba Life” një suportues tjetër i fuqishëm i koncertit me themelues dhe producent Qemal Zylo dhe kameraman gazetarin e njohur Valon Gërbeshi, ndërsa Olsi Beçi fotograf dhe producent i njohur do të sjellë disa vidioklipe për këtë aktivitet në Saint George Theater.
Autorja e shkrimit është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
12 prill, 2024
Staten Island, New York