Tiranë, 9 maj 2022 – Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësinë e Drogës dhe Organizata evropiane Policore, Europol kanë publikuar së fundi një raport të përbashkët për trafikun e kokainës në Europë duke sjellë të dhëna për aktivitetin e rrjeteve kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Sipas raportit “disa rrjete kriminale shqipfolëse kanë bërë përpjekje të suksesshme për të aplikuar trafikimin e kokainës nga vendet prodhuese ose tranzit në Amerikën e Jugut deri në shpërndarjen me pakicë brenda Bashkimit Europian dhe më gjerë”.
Raporti pohon se “për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë, por një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin e importit dhe shpërndarjes”.
Sipas raportit “rrjeti përdori mjete të sofistikuara komunikimi të koduara, drejtuesi i organizatës, me qendër në Ekuador negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut dhe organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Europës si dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri, gjithashtu organizoi shpërndarjen për përdoruesit në të gjithë Europën”.
Raporti mbi trafikun e kokainës në Europë pohon se “shumica e rrjeteve kriminale të raportuara në Europol kanë qenë aktive për më shumë se 10 vjet, me disa aktorë që kanë luajtur një rol kyç për dekada, si rrjetet italiane, ndërsa lojtarët e rinj janë në kërkim të një pjese më të madhe të tregut të kokainës. si rrjetet shqiptare, belge, britanike, holandeze, franceze, irlandeze, marokene, serbe, spanjolle dhe turke”.
“Rrjetet kriminale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë shfaqur në rreth 10 vitet e fundit si lojtarë kryesorë në tregun e kokainës në BE”, vlerëson raporti.
Duke iu refruar sasive të kokainës së kapur gjatë operacioneve policore në vitet 2020 dhe 2021 raporti vlerëson se trafiku i kokainës përmes porteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, mund të jetë rritur.
“Rreth 143 kilogramë u kapën në portin e Durrësit, Shqipëri në prill 2021, ndërsa 1.4 ton u kapën në gusht 2021 dhe 500 kilogramë në janar 2022 në portin e Tivarit, Mali i Zi” , thuhet në raport
Raporti përmend edhe dyshimin e autoriteteve malazeze se më shumë se 3 ton u kontrabanduan përmes portit të Tivarit në gjysmën e dytë të vitit 2021 ndërsa Kosova kapi një ngarkesë prej 400 kilogramësh kokainë në maj 2021 pasi ishte kontrabanduar nga Shqipëria përmes portit të Durrësit”.
Megjithatë, vlerrëson raporti, nga të dhënat e rasteve të konfiksuara kontrabanda e kokainës në rajonin e Ballkanit Perëndimor është më e kufizuar në shtrirje, sesa në Evropën Perëndimore,
Sipas raportit tregu i shitjes me pakicë të kokainës në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2020 kishte një vlerë, masatarisht rreth 10.5 miliardë euro dhe mbi bazë të peshës së tregut në raport me llojet e tjera të drogës kokaina renditej e dyta pas kanabisit.
(Rajmond Kola, Zëri i Amerikës)