Informaliteti vijon të jetë prezent në tregun mediatik. Sipas një anketimi të kryer nga Barometri-Kombëtar për Lirinë e Medias 2020, 68.8% e të anketuarve pohuan se punojnë bazuar në një kontratë të rregullt pune, ndërsa pjesa tjetër prej 30.2% u përgjigjën se nuk kanë një kontratë të rregullt pune apo nuk kanë informacion për marrëdhënien e tyre kontraktuale.
Sa i takon kohëzgjatjes së kontratës, vetëm 41.5% e të anketuarve u përgjigjën se kanë një kontratë pune pa afat. 26.5% e të anketuarve u përgjigjën se kanë kontratë me afat 1-vjeçar, ndërkohë që 16.5% deklaruan se nuk disponojnë fare një dokument të tillë.
Këto të dhëna tregojnë se në sektorin e medias vijojnë në përqindje të konsiderueshme, praktikat e informalitetit të punonjësve të padeklaruar.
Shqetësues është fakti se mbi 31% e të anketuarve deklarojnë se nuk e marrin të plotë pagën në bankë, çka është në shkelje të nenit 118 të Kodit të Punës.
Mosdeklarimi i plotë i pagës, që pasohet me shmangie të detyrimeve tatimore si dhe pagesave të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përveç se përbën shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi, gjithashtu shkakton pasoja negative në drejtim të përfitimeve direkte afatshkurtra dhe afatgjata për punonjësit e medias, duke cënuar kështu edhe të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, e cila mbrohet nga neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndër efektet e menjëherëshme është reduktimi i të ardhurave për paaftësi nga sëmundjet apo të ardhurat për barrëlindje, duke qenë se këto pagesa bëhen mbi bazën e pagës së deklaruar të punonjësit. Gjithashtu, mungesa e deklarimit të pagës reale pranë organeve tatimore lidhet drejtpërdrejt me pensionin e pleqërisë.
E drejta për pushime javore dhe vjetore
Anketimi nxjerr në pah se shumica e punonjësve të medias punojnë mbi normën e përcaktuar përgjatë një jave nga Kodi i Punës. Akoma më shqetësues është fakti i mungesës së pushimeve të mjaftueshme gjatë një jave kalendarike.
Konkretisht, 59% e të anketuarve deklarojnë se punojnë 6 ditë në javë, ndërkohë që 18% e të anketuarve deklarojnë se nuk bëjnë asnjë ditë pushim. Puna, 7 ditë në javë është pohuar më së shumti nga punonjës që kanë 10-15 vjet përvojë në punë, që tregon se shkeljet të të drejtave të përcaktuara në Kodin e Punës nuk është një fenomen që shoqëron punonjësit e rinj.
Vetëm 13% e të anketuarve deklaruan se punojnë 5 ditë në javë, ndërkohë që 9% e tyre deklarojnë se punojnë sipas rastit, ku bëjnë pjesë ata punonjës që ushtrojnë profesionin pranë organizatave të shoqërisë civile, të cilat realizojnë materiale që i komunikohen medias apo publikut.
Anketimi nxjerr në pah se punonjësve të medias iu shkelen rëndom të drejtat në drejtim të pushimeve vjetore. Sipas “Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë” “kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim”.
Por, 75% e punonjësve deklaruan se bëjnë më pak pushime vjetore se sa përcakton Kodi i Punës. 63.5% e të pyeturve deklaruan se bëjnë 14 ose 15 ditë pushim në vit, ndërkohë që vetëm 16.5% e tyre gëzojnë efektivisht pushime të plota vjetore.
Ngacmimet seksuale në vendin e punës
Ngacmimet seksuale në vendin e punës 15 nga të anketuarit apo 7.5% e totalit deklaruan se ishin ngacmuar seksualisht në vendin e punës. Vetëm në një rast, një prej të anketuarve referoi se kishte qenë prezent gjatë sjelljeve të ngacmimit që u ndodhte personave të tjerë në një redaksi. Të gjithë të anketuarit që pohuan ngacmime seksuale ishin femra.
Në pyetjet pasuese, gazetaret e ngacmuara seksualisht referojnë se janë ulur në detyrë për shkak se kanë bërë rezistencë apo kundërshtuar këto sjellje. Një prej të anketuarave referon si forma të ngacmimit seksual “Kërkesë për të dalë, interesim për të patur marrëdhënie. Ulje profesionale për shkak të ngacmimit të refuzuar”.
Përtej ngacmimeve me fjalë apo ofertave të ngjashme jo të përshtatshme, një prej gazetareve referon se ishte sulmuar fizikisht dhe se për shkak të traumës së pësuar, kishte kërkuar ndihmë mjekësore. Ajo referon se “Ngacmime verbale që kanë shkuar deri tek tentativa për të më prekur në vende intime. Kur personat janë refuzuar unë jam ndëshkuar me eleminim nga lajmi i ditës (puna e ditës) dhe shfaqja në ekran”.
Kërcënimet për shkak të punës
Të dhënat e Barometrit evidentojnë raste të shpeshta të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të medias, çka ndikojnë në prezencën e një klime censure ndaj medias në vendin tonë. Edhe pse vetëm një masë e vogël e ngjarjeve raportohen dhe pak prej tyre marrin vëmendje mediatike, në pyetësorë të anketuarit tregojnë se janë sulmuar apo ndjerë të kërcënuar prej punonjësve të policisë, protestuesve, personave të dyshuar për lidhje me botën e krimit apo të dënuar dhe të ngjashme (si psh personat e përfshirë në konfliktet që ata raportonin kanë tentuar tu marrin apo dëmtojnë mjetet e punës).
Gjatë vitit që shkoi në media janë raportuar raste kur policia ka shoqëruar disa orë gazetarë që ishin në krye të detyrës . Kjo konfirmohet edhe nga katër prej të anketuarve, të cilët referojnë se janë kërcënuar apo ndjerë të kërcënuar prej policisë.
Të dhënat statisiktore të Barometrit reflektojnë se, 33 % e të anketuarve pohojnë se ishin kërcënuar fizikisht për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj. Një prej të anketuarve shkroi se shtëpia e tij ishte sulmuar me tritol dhe të tjerë përshkruan raste të kërcënimeve nga persona të armatosur apo në konflikt me ligjin, para publikimit të një lajmi.
Shqetësues në të gjitha rastet e mbetet fakti se autorët e dhunës nuk janë ndëshkuar. Policia në disa raste ka njoftuar hetime të brendshme, por në asnjë prej rasteve nuk ka raporte që tregojnë se ndaj punonjësve të saj ishin marrë masa. 51.5% e të anketuarve pohuan se ishin kërcënuar verbalisht.
Format me të cilat është kryer kërcënimi verbal, referohen të jenë me mesazhe telefonike, përmes mesazheve në rrjetet sociale apo edhe ballë për ballë. Një pjesë e tyre identifikuan se kërcënimet ishin bërë nga përfaqësues apo punonjës të institucioneve shtetërore.
Një gazetare referoi me anë të pyetësorit se ndaj saj ishte bërë presion për ditë më radhë, se ishin shkruajtur artikuj dizinformues në media të tjera, duke e cenuar në dinjitet si dhe kishte patur telefonata që e mbanin nën presion. “Një media elektonike shkroi për mua se isha e lidhur me zyrtarë të lartë. Jam marrë në telefon nga personat qe trilluan shkrimin dhe jam kërcënuar për ditë të tëra”, raportoi gazetarja.
Të pyetur nëse kishin gjetur mbështetje nga punëdhënësit në raste të kërcënimeve, 46 % e të anketuarve referojnë se kanë pasur mbështetje, 26.5% referojnë se nuk kanë patur mbështetje dhe 27.5% kanë plotësuar alternativën “Nuk e di”.
Çensurë apo vetëçensurë?
49.5% e të anketuarve pohuan se ishin censuruar, pasi u ishte kërkuar direkt nga pronari apo përmes redaktorit apo kryeredaktorit, të mos publikonin një lajm. Në këtë kategori, 40% e të anketuarve specifikuan rastet kur kjo kishte ndodhur, kryesisht për ngjarje apo çështje që kanë qenë në vëmendje publike së fundmi.
Ndër rastet e përmendura si censurë janë raportime për koncensionet për ndërtimin e inceneratorëve për menaxhimin e mbetjeve, interesa që preknin rrethin shoqëror apo të lidhura me biznesin në raport me punëdhënësin, protestës dhe çështjes së lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar, etj.
“Nuk jam lejuar të publikoj lajme kritike ndaj Bashkisë Tiranë, hera e fundit ishte kur bëra kronikë për një protestë të një grupi qytetarësh pasi u hoqën abonetë e përgjithshme, shefi im ma censuroi lajmin duke më thënë se kisha shkuar me kokën time në protestë edhe pse më kishte dërguar atje redaksia”, shprehet një prej të anketuarve.
Një tjetër i anketuar thotë se: “Për më shumë se 15 vite punë rastet janë shumë. Po përmend më të fundit: Zërat kundër, pas shembjes se godinës së Teatrit Kombëtar”. Ndër të pyeturit, ka edhe prej atyre që bëjnë të qartë se kishin frikë se do të penalizoheshin nëse do të tregonin raste të censurës. Lidhur me sa më sipër 33.5% pranuan se u ishte dashur të linin në mes një hulumtim apo punën për realizimin e një lajmi.
Shqetësues është fakti se 8% e të pyeturve pranojnë se u ishte kërkuar të publikonin lajme të rreme, ndërkohë që 7.5 % e të pyeturve nuk ishin të sigurt nëse kjo kishte ndodhur.
Vetëcensura, edhe pse me ndryshim të vogël nga censura është më e pranishme sipas përgjigjeve të të anketuarve. 52% thanë se ata kishin shmangur raportimin e një lajmi për shkak se kishin menduar se ai nuk do i pëlqente punëdhënësit, 42% thanë se kjo nuk kishte ndodhur dhe 6% nuk ishin të sigurt për përgjigjen.
Një raport i BIRN në vitin 201726 mbi këtë temë vë në dukje se gazetarët përpiqen të fshehin rastet e vetëcensurës kur pyetja është direkt për ta dhe punën e tyre,ndërsa kanë një perceptim se ajo ndodh më shumë në raport me të tretët, duke patur parasysh kolegët apo media të tjera nga vendi i tyre i punës.
Është kontradiktor fakti se, edhe pse kanë thënë se vetëcensuroheshin, shumica e të anketuarve kanë mohuar se kjo lidhej me pasigurinë për vendin e punës apo frikën prej shkarkimit. 51.5% mohuan se publikimi i një lajmi mund të sillte shkarkimin nga puna, 30.5 % pohuan se e kishin këtë frikë, ndërsa 18 % ishin të pasigurtë.
Aksesi në gjykatë
Të anketuarit renditin një sërë arsyesh, që i pengojnë ata t’i trejtohen gjykatës nëse liria e tyre e shprehjes cenohet. Burokracitë në përballjen me gjykatën janë faktori kryesor (64% të rasteve), ndërsa pas tij vjen frika nga hakmarrja e punëdhënësit (54.5%). Arsyeja e tretë që ndikon në këtë drejtim është frika se nuk do të punësohet nga punëdhënës së tjerë për shkak të solidaritetit që ekziston në të tilla raste midis pronarëve të medias (44%).
Njëkohësisht me realizimin e anketimit, është kërkuar informacion në vazhdimësi nga gjykatat e rretheve gjyqësore mbi të dhëna lidhur me numrin e çështjeve gjyqësore në proces, të pushuara, të pezulluara me palë gazetar apo punonjës të medias, si edhe natyrën e këtyre çështjeve, civile dhe penale, lidhur gjithashtu me veprat penale të Shpifjes dhe Fyerjes, si edhe sa prej tyre janë pushuar, sa janë pezulluar dhe për sa ajnë dhënë vendime pafajësie/fajësie, si edhe numrin e vendimeve të marra me palë gazetar apo punonjës të medias, si edhe natyrën e këtyre çështjeve, civile dhe penale dhe kopje të anonimizuara të këtyre vendimeve. Nga 23 gjykata rrethesh, kanë kthyer përgjigje 18 prej tyre, nga të cilat, 10 prej tyre kanë referuar se për periudhën Janar – Dhjetor 2020 nuk kanë pasur çështje gjyqësore si edhe nuk janë dhënë vendime me palë përfaqësues të medias apo gazetarë.
Metodologjia dhe kampioni
Barometri u realizua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Për pyetësorin me 47 pyetje u kontaktuan 350 punonjësve të medias (gazetarë, kryeredaktorë, redaktorë, regjisorë, operatorë, etj) dhe u përgjigjën 200.
Metodologjia e kampionimit synoi që shpërndarja e tij të ishte përfaqësuese, duke marrë në konsideratë elementë si gjinia dhe shpërndarja gjeografike, përkatësisht në qytetet e Tiranës, Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Pogradecit, Lezhës, Kukësit, Kavajës, Librazhdit dhe Lushnjes.
Për shkak të natyrës së pyetjeve, sondazhit i janë përgjigjur një numër shumë i lartë gazetarësh (rreth 80%), ndërkohë që i janë përgjigjur në minorancë, punonjës të tjerë të sektorit të medias (Regjisor, montazhier, kameramanë, teknikë transmetimi, etj).
Për sa i takon mediave ku janë të punësuar, të parët më të përfaqësuar në të dhënat që Barometri janë punonjësit e televizioneve dhe të dytët punonjësit e portaleve online.
Sondazhi u realizua gjatë periudhës 1-20 Korrik 2021, por të dhënat e tij i referohen periudhës Janar- Dhjetor 2020.
Evidentohet se në vitin 2019, kemi rënien e numrit të punonjësve të medias, nga 6200 në 5900 vetë. Arsyeja kryesore lidhet me mbylljen e disa mediave, dixhitalizimin por edhe me largimet e gazetarëve nga profesioni për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës.OraNews