Uashington, 25 qershor 2023 – E përditshmja amerikane “Washington Post” shkruan se agjencitë amerikane të inteligjencës qe një kohë kishin parë shenja se shefi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, kishte synim të dilte kundër urdhëheqësisë ruse kah mesi i muajit qershor.
Gazeta tjetër amerikane “The New York Times” shkruan se informacioni i agjencive amerikane ka qenë solid por edhe alarmues.
“Times” shkruan se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë zbuluar se Prigozhin është përgatitur për aksion ushtarak dhe kanë shprehur shqetësime për kaosin që do të mund të shkaktonte rebelimi i Prigozhinit në Rusi, shtetin me arsenal të fuqishëm bërthamor.
Agjencitë amerikane besojnë se Presidenti rus, Vladimir Putin, ishte informuar të paktën një ditë më parë se Prigozhini, dikur aleat i tij i ngushtë, ishte duke e organizuar rebelimin.
Të premten, në mbrëmje vonë, forcat e Prigozhinit u larguan nga kampet e tyre në Ukrainë dhe hynë në Rusi. Pak kohë më vonë, trupat e Wagnerit morën kontrollin e qytetin jugor Rostov-on-Don, ndërsa të shtunën u nisën drejt Moskës. Por, të shtunën pasdite, avancimi i ushtrisë së mercenarëve të Prigozhinit e kthyen rrugën dhe u nisën drejt bazave të tyre në Ukrainë.
Kjo kthesë u bë me ndërmjetësimin e Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, i cili cilësohet si mik i vjetër i Prigozhinit. Asnjëra pale nuk tregoi se çfarë marrëveshjeje siguroi Lokashenko, por Prigozhin tha se ndërroi mendje për të shmangur gjakderdhjen brenda Rusisë.
Mediat ruse kanë thënë se trupat e Wagnerit do të kthehen në Ukrainë, ndërsa Prigozhin do të shkojë në Bjellorusi.
Kremlini tha se nuk do të ndjekë penalisht Prigozhinin dhe as pjesëtarët e forcës së tij paraushtarake, Wagner.
(r.m.)