Rashiq: Dy sulmues janë vrarë, një është plagosur dhe një është arrestuar

Prishtinë, 24 shtator 2023 – Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se ka informacione se dy sulmues të policisë së Kosovës, të dielën në mëngjes, janë vrarë në afërsi të fshatit Banjskë të Zveçanit, një sulmues është plagosur dhe një tjetër është arrestuar.

Deri më tash nuk ka konfirmim zyrtar se në përleshjet e armatosura me policinë e Kosovës janë vrarë dy sulmues. Më herët, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka informacion për një sulmues të vrarë.

Rashiq ka thënë se situata rreth Manastirit të Banjskës, ku janë barrikaduar autorët e sulmeve ndaj policisë së Kosovës, është ende dramatike dhe se nuk ka shenja se ajo do të qetësohet shpejt.

“Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike. Nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Por, tash për tash, atje është qetësi”, ka thënë Rashiq për portalin Nova të Serbisë.

Rashiq ka thënë se, sipas informacioneve të tij, një pjesë e sulmuesve kanë hyrë në manastir dhe policia u ka bërë hirrje të dorëzohen, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Sot në mëngjes policia u ka bërë thirrje për dorëzim, por mes dy palëve nuk ka asnjë komunikim apo kontakt. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje”, ka thënë ai.

Sipas burimeve të policisë, sulmuesit janë të veshur me uniforma kamuflazhi, të maskuar, të pajisur me armë të rënda, përfshirë granata dhe mortaja. Pas sulmit të mëngjesit, ata janë barrikaduar në Manastirin e Banjskës e hapësirat tjera të manastorit, si edhe në shtëpitë  objektet përreth.

Këtë e ka konfirmuar edhe Rashiqi.

“Një numër sulmuesish janë brenda manastirit, ndërsa disa rreth vetë manastirit. Tash për tash, askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tash për tash”, ka thënë Rashiq.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë është vrarë, kurse dy zyrtarë policorë të tjerë janë plagosur në sulmin në afërsi të fshatit Banjskë, të dielën në mëngjes.

(r.m.)