Prishtinë, 6 janar 2023 – Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim që duhet të kryhet, por u takon institucioneve të Kosovës të vendosin për modelin e tij.
Në një deklaratë për medie në Graçanicë, Rashiq ka thënë se ai është për respektimin e të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel.
“Siç e kam thënë edhe më herët, në politikë dhe në institucione nuk mund të anuloni gjithë atë që ka ndodhur në mandatin paraprak, që do të thotë se ato obligime mbeten dhe ato obligime duhet të respektohen. Është tek ju ajo se çfarë forme, çfarë dizajni do të zbatohet ajo. Kjo është diçka tjetër. Në marrëveshjen e vitit 2015 thuhet se të gjitha këto marrëveshje duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Për mua, kjo është bazë e mirë për Qeverinë e Kosovës që të punojë në atë drejtim”, është shprehur ai.
Rashiq ka thënë se beson që të hartohet një draft ideor i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por për këtë nevojitet vullnet dhe qasje pozitive nga të gjithë faktorët politikë në Kosovës.
Rashiq ka folur edhe për tensionet e javëve të kaluara dhe vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të kosovës. Ai ka thënë se beson që vedosja e barrikadave është nxitur nga Serbia,me qëllim që të forcojë pozicionin në procesin për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën.
“Unë konsideroj që kjo ka qenë një manovër e organeve, në veçanti e Listës Serbe, e përkrahur nga Beogradi, për sigurimin e një pozite më të favorshme në negociatat për marrëveshjet që supozohet se mund të arrihen brenda vitit 2023”, ka thënë ai.
Rashiq e ka cilësuar të gabuar dorëheqjen kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës.
“E kanë bërë një gabim në hapa ata që kanë urdhëruar serbët në veritë krijojnë një vakuum institucional dhe të sigurisë”, ka thënë ai.
(r.m.)