Rashiq: “Heqja e ndalesës për mallrat serbe në këmbim të shfuqizimit të masave nga BE-ja”

Prishtinë, 11 gusht 2023 – Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mendon se Qeveria e Kosovës do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, por pret që edhe Bashkimi Evropian t’i anulojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai tha se edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë” kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, anulimin e vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe. Sipas tij, vendimi për mallrat nga Serbia do të merret paralelisht me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë [heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës], nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, tha Rashiq.

Megjithatë, ai nuk tha ndonjë datë apo ndonjë afat për marrjen e këtyre vendimeve.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”.

Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur.

Rashiq vlerëson se procesi i deeskalimit të situatës në veri të Kosovës po shkon në drejtimin e duhur dhe shtoi se “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.

Ai thekson se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.

“Ju e dini si është në politikë: ‘ju jepni diçka, ne japim diçka’. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, thekson Rashiq.

Në fund të qershorit, BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, sepse qeveria nuk i ndërmori hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Burime diplomatike të REL-it në BE kanë thënë më herët se heqja e masave ndëshkuese do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi më 10 gusht se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë më shumë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri dhe se blloku evropian është i gatshëm të marrë masa kundër Serbisë nëse nuk bashkëpunon për këtë çështje.

(r.m.)