Rashiq i këshillon qytetarët: Mos i shikoni komunitetet tjera si politikanë!

Prishtinë, 10 korrik 2024 – Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, e ngriti çështjen e bashkëjetesës në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ajo duhet të jetë një dukuri krejt normale në një shoqëri multietnike.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos u kushtojnë rëndësi deklaratave të politikanëve, por t’i pranojnë realisht bashkëqytetarët nga komunitetet tjera.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithëve që bashkëqytetarët e tyre të kombeve apo të feve të tjera të mos i shohin si politikanë, por t’i shohin në një mënyrë të pranueshme”, tha Rashiq të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë.

Të martën, Radio Evropa e Lirë shkroi se në Kosovë ka një diskurs negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndërsa Rashiq ka thënë se çështja e bashkëjetesës do të jetë një temë me të cilën do të merret ai.

“Do të përpiqem të gjej një rrugë që gjërat të shihen në një mënyrë tjetër, më normale. Do të flas drejtpërdrejt me kryeministrin, ndoshta edhe me kolegë të tjerë, për metodologjinë që mund të përdoret për të parandaluar diskursin negativ kur bëhet fjalë për bashkëjetesën”, ka thënë Rashiq.

(r. m.)