Prishtinë, 24 janar 2023 – Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar si kushtetuese marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ka gjetur se disa pika të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka rekomanduar që ështjet që bien ndesh me Kushtetutën të evitohen me Statutin e Asociacionit apo me ndonjë akt tjetër juridik.
Rashiq, i cili u emërua në pozitën e ministrit në Qeverinë e Kosovës në muajin dhjetor, është shprehur për formimin e Asociacionit. Ai ka thënë se marrëveshjet e arrtitura në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk mund të shpërfillen.
Por, Rashiq është pajtuar se gjatë procesit të hartimit të Statutit të Asociacionit duhet të merren parasysh edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015 dhe se Asociacioni duhet të formohet në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.
Këtë qëndrim Rashiq e shprehu edhe tani. Ai tha se bashkë me zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës po përpiqen që Asociacionin e komunave me shumicë serbe ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo si ështje politike.
“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk i kemi bashkuar ato dy dokumente (marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015) ose, thënë më mirë, (nuk kemi paraqitur) ndonjë opsion të dytë ose të tretë, përmes punës në nivel teknik”, tha Rashiq të martën.
Sipas tij, janë dy elemente të kontestueshme në lidhje me formimin e Asociacionit: emri dhe statusi juridik.
“Mendoj se emri nuk është aq i rëndësishëm sa është statusi juridik”, tha ai.
Rashiq tha se në pikën e dytë të Marrëveshjes së vitit 2015 shkruan se Asociacioni do të harmonizohet me Kushtetutën e Kosovës. Ai tha se për këtë arsye nuk sheh ndonjë problem juridiko-teknik për formimin e asociacionit.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit, i cili do të ishte njëkohësisht në përputhje me ligjet e Kosovës.
Në pikën e Marrëveshjes së Brukselit së cilës i referohet Rashiqi thuhet se “në bazë të Marrëveshjes së parë, e cila ia njeh karakterin e veçantë (të Asociacionit), Qeveria e Kosovës do të miratojë një rregullore që do të zbatohet drejtpërdrejt dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.
Rashiq tha se aktualisht nuk ka informacione për planet e SHBA-së rreth hapave të ardhshëm për formimin e Asociacionit, por shtoi se ai gjithmonë ka qenë i hapur për bashkëpunim.
“Nëse ndodh që ka diçka që ofron mekanizma më të fortë, garanci për asociacionet, natyrisht se do ta konsiderojmë dhe do të kontribuojmë në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rashiq.
Formimi i Asociacionit është një prej çështjeve më të nxehta të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Beogradi insiston në formimin e Asociacionit, kurse Prishtina e refuzon, me arsyetim se formimin i asociacionit njëetnik bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.
Ai ka thënë se këta “partnerë” mund të jenë nga shoqëria civile, nga grupet multietnike apo nga institutet dhe subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar ka thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.
(r.m.)