Rashiti: Agjenda e qeverisë në veri e ka dëmtuar shumë Kosovën

Prishtinë, 8 gusht 2024 – Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, e cilëson si “zhvillim të ri” vizitën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se kjo vizitë merr dimensione më të gjera në kohën që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në Mitrovicë veprime që nga faktorët ndërkombëtarë, pra edhe nga SHBA-të, po cilësohen si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

“Ky është një zhvillim i ri. Ka kohë që nuk ka pasur vizita dhe takime të tilla të nivelit, për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar të institucioneve të Kosovës me administratën e (Joe) Bidenit. Veçanërisht, është zhvillim i ri për faktin se një lider i opozitës takohet në Shtëpinë e Bardhë, gjë që nuk ndodh shpesh. E dyta, jam i bindur, që kjo ka lidhje me Mitrovicën, me urën, që mund të jetë një mesazh për zhvillimet në Mitrovicë”, ka thënë Rashiti.

“Zyrtari i lartë amerikan, Carpenter, ka qenë ambasador i SHBA-së në OSBE, është njeri shumë i afërt i Bidenit dhe është zyrtar shumë i lartë i SHBA-së sa u përket çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve me BE-në, me Evropën dhe me Euro-Azinë”, ka shtuar ai.

Rashiti ka thënë se veprimet e “pakoordinuara” në pjesën veriore të vendit kanë çuar në izolimin e Qeverisë së Kosovës nga Perëndimi.

“Marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, me SHBA-në dhe QUINT-in kanë shkuar larg. Kemi hyrë në një qark të veprimeve të njëpasnjëshme, në humbjen e besimit të njëri-tjetrit në shkallë aq të lartë, sa po shohim edhe një izolim të madh ose veprime për të izoluar institucionet e Kosovës nga Perëndimi”, ka thënë Rashiti.

Ai ka theksuar se kokëfortësia e Qeverisë së Kosovës për realizimin e agjendës së saj është duke e dëmtuar shumë Kosovën.

“Në vështrim të parë, mund të duken se janë hapa për shtrirjen e sovranitetit në veri, për vendosjen e rendit dhe ligjit, por në planin ndërkombëtar janë duke e dëmtuar shumë Kosovën. Kjo, sepse agjenda ndërkombëtare e Kosovës varet krejtësisht nga miqtë e saj, ndërsa në këtë rast miqtë e saj kanë kundërshtime të mëdha me qasjen e Qeverisë [së Kosovës] ndaj veriut dhe ndaj dialogut. Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur qëllim në vetvete dialogun për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, pa avancimin në agjendën ndërkombëtare të Kosovës. Ky ishte qëllimi kryesor, prandaj në veri shpesh janë bërë kompromise për një qëllim më të lartë, për rritjen e sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka theksuar ai.

(r.m.)