Rasti “Dehari”: Largohet nga puna kryeinspektori Ylber Topalli

Prishtinë, 13 mars 2023 – Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim Kryeinspektori i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, është larguar nga puna për shkak të rastit Dehari.

Ky vendim është marrë nga Komisioni Disiplinor, i cili është emëruar nga zëvendëssekretarja e përgjithshme e ministrisë.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë para policisë nga burgu i Prizrenit dhe i ka dërguar në Ministrinë Drejtësisë, gjë që, siç thuhet, “kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”.

“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bartë detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit. Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin: Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e kishte humbur jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai po mbahej në paraburgim lidhur me sulmin me minë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

(r.m.)