Tiranë, 10 janar 2023 – Në Shqipëri, pas rihapjes së çështjes së shpërthimit në Gërdec në vitin 2008, Prokuroria e posaçme i komunikoi sot akuzat ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Akuzat ndaj tij, siç e pohoi edhe ai vetë më pas në dalje nga Prokuroria e Posaçme, janë po ato të ngritura që në vitin 2009 nga Prokuroria e Përgjithshme, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Zoti Mediu nuk u gjykua në procesin e hapur në atë kohë, duke qenë se ai rifitoi mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të atij viti, ndërsa prokuroria, e cila duhet të kërkonte sërish autorizimin e parlamentit, nuk e bëri më një kërkesë të tillë.
Në maj të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme kërkoi rihapjen e procesit gjyqësor ndaj zotit Mediu, lidhur me shpërthimin në depon ushtarake, në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën. Prokuroria u vu në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, njërit prej viktimave të shpërthimit. Kërkesa e prokurorisë kaloi më pas nëpër të gjitha hallkat e gjyqësorit, duke u konsideruar e vlefshme.
Avokati i Mediut, Ardian Visha, tha sot se bëhet fjalë për “një qëndrim absurd’ dhe se “është një fabul që nuk qëndron nga pikëpamja ligjore”.
Nga ana e tij, ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tha se i hedh poshtë akuzat dhe se atij nuk i është ofruar mundësia për një proces të drejtë ligjor.
“Jo vetëm që nuk e pranoj këtë akuzë, por, si çdo qytetar, kam të drejtën për një proces normal. Të pyetem për aktet e mia. Nuk jam pyetur asnjëherë për këto akte. Vetëm një apo dy ditë pas ngjarjes jam pyetur si person që i njeh rrethanat, pa u njohur me dokumentacionin, dhe kam dhënë shpjegimet e mia. Kam deklaruar në mbledhjen e Këshillit e Sigurisë kombëtare që nëse do të gjendet një telefonatë që unë të kem qoftë me personin shqiptar apo amerikan që kryente biznesin, unë dhe familja ime, apo edhe stafi im, e marr gjithë përgjegjësinë në raport me këtë çështje. Është provuar se nuk ka asnjë kontakt, asnjë lloj interesi specifik, përveç asaj të demontimit si çështje e sigurisë kombëtare. Dhe nuk është vetëm çështje e sigurisë kombëtare, por edhe aktesh ligjore, por dhe problemesh që kanë ndodhur para dhe pas Gërdecit, me tragjedi dhe me humbje jetësh njerëzore”, deklaroi zoti Mediu, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)