Beograd, 12 shtator 2024 – Një gjykatë serbe do të nisë procedurat gjyqësore më 12 shtator në rastin e parë të dokumentuar publikisht në vend për trafikim seksual, ku përfshihen shtetas kinezë.
Aktakuza, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thotë se dy gra kineze ishin trafikuar në Serbi nga Kina dhe më pas u ishin marrë pasaportat nga trafikantët. Në padi thuhet se atyre u ishte dhënë vetëm një vakt ushqimor në ditë dhe nën kërcënim për jetë ishin detyruar të ofronin shërbime seksuale burrave.
Në aktakuzë u tha se dy gratë ishin trafikuar nga një burrë kinez, “i cili i mashtroi viktimat” duke u premtuar “se do t’u gjente punë si masazhatore” në Serbi dhe do t’u siguronte “banim dhe ushqim”. Pak kohë pasi ato shkuan në Serbi, duke i kërcënuar “se do i vriste”, ai i detyroi ato që të kryenin marrëdhënie seksuale me burra dhe duke i paralajmëruar se “ai ishte i fuqishëm dhe mund të bënte gjithçka që ato të zhdukeshin”.
“Disa orë pasi arritën, ai organizoi keqpërdorimin e tyre seksual” nga burra kinezë në Serbi “nën kërcënimin se ato i kishin borxh atij para për biletat e blera të avionit dhe se ato duhej të fitonin para për t’u pajisur me leje pune”.
Burri kinez, i cili nuk është identifikuar, u arrestua në mars nga policia serbe në qytetin e Borit dhe ndaj tij pritet të nisin seancat dëgjimore preliminare që do të mbahen prapa dyerve të mbyllura. Ndaj tij, gjykata e qytetit Zajacar ka ngritur akuzën për trafikim të qenieve njerëzore.
Pjesë të mëdha të aktakuzës, të siguruar nga REL-i, duke përfshirë detaje për rastin, janë redaktuar me ngjyrë të zezë.
Rasti ligjor ku përfshihen shtetas kinezë me gjasë do të testojë raportet gjithnjë e më miqësore mes Kinës dhe Serbisë.
Kina është bërë një investitore e madhe dhe partnere tregtare me Serbinë, dhe dy shtetet ofrojnë lëvizje të lirë pa viza për qytetarët e të dyja shteteve.
“Ndjeshmëria e raporteve diplomatike shpesh krijon presion ndaj autoriteteve serbe që të jenë të kujdesshme kur bëhet fjalë për hetimet që përfshijnë shtetas kinezë apo kompani”, tha Sasa Gjorgjeviq, analist i lartë në Nismën Globale për Luftimin e Krimit të Organizuar Transnacional, institut me seli në Zvicër.
“Frika se kjo mund të rrezikojë lidhjet strategjike midis Serbisë dhe Kinës mund të çojë në një reagim më pak vendimtar nga autoritetet dhe institucionet serbe”, shtoi Gjorgjeviq.
Detaje lidhur me rastin
Dy gratë, zyrtarisht janë identifikuar si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore, një organizatë shtetërore serbe që ofron mbështetje për viktimat e trafikimit.
Kjo qendër i tha REL-it se ky është rasti i parë në Serbi ku janë përfshirë shtetas kinezë, që kur kjo organizatë nisi mbledhjen e të dhënave për këtë fushë më 2015.
Janë 35 raste të dokumentuara për trafikim të qenieve njerëzore në Serbi deri më tani më 2024, sipas qendrës.
Shembuj të trafikimit të grave kineze në Serbi janë përmendur edhe në Raportin e vitit 2024 për trafikimin e qenieve njerëzore të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Në raport thuhet se “trafikantët shfrytëzojnë gratë nga Republika Popullore e Kinës për trafikim seksual, kryesisht duke i shënjestruar për kërkesën e seksit komercial nga punëtorët në projektet e financuara nga Kina, përfshirë minierat e bakrit”.
Përderisa në aktakuzë nuk përmendet asnjë lidhje me industrinë e minierave, Bori, qyteti ku u arrestua personi që po akuzohet për trafikimin e grave kineze, dhe qyteti i afërt, Majdanpek, janë shtëpi e dy operacioneve të mëdha për mihjen e arit dhe bakrit, që më 2018 u morën nën kontroll nga kompania kineze Zijiin Mining. Kompania punëson punëtorë serbë dhe kinezë në Bor dhe Majdanpek.
DASH-i nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me detajet e përmendura në raport apo nëse në të përfshihet rasti i dy grave kineze, rast për të cilin është ngritur aktakuzë. Por, DASH-i tha se ka informuar Qeverinë serbe për gjetjet e tij.
Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.
Ambasada kineze në Beograd po ashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për aktakuzën, për nisjen e procedurës paraprake gjyqësore më 12 shtator apo për pretendimet e ngritura nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Zoran Pasaliq, raportuesi kombëtar i Serbisë për trafikim të qenieve njerëzore dhe Avokat i Popullit, i tha Radios Evropa e Lirë se është në dijeni me rastin ku janë përfshirë dy gratë kineze dhe “nuk ka dyshim se ato janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”.
Ai tha se edhe persona të tjerë, përveç burrit kinez, janë përfshirë në trafikimin dhe shfrytëzimin e dy grave.
“Sipas njohurive tona, nuk është vetëm një shtetas kinez. Mirëpo, për shkak të hetimeve, nuk mund të zbulojë se kush tjetër është i përfshirë në këtë rast”, tha ai.
Pasaliq tha se Qendra për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore u ka ofruar grave strehim falas dhe mbështetje psikologjike, u ka ofruar leje të përkohshme qëndrimi dhe “mbështetje deri në kthimin e tyre në Kinë”.
Në Serbi, për trafikim të qenieve njerëzore dënimi maksimal është 12 vjet burgim.
Por, Marija Andjelkoviq, udhëheqëse e ASTRA, organizatë serbe që ofron mbështetje për viktimat e trafikimit, tha se sipas precedentëve ligjorë në këtë shtet, ka tendenca që të favorizohen dënimet më të buta për këtë vepër penale, shpesh nga tre deri në pesë vjet burgim.
“Këto procedura mund të zgjasin shumë dhe mund të jenë të lodhshme për viktimën”, tha ajo për REL-in “Viktima mund të përsërisë historinë e saj mesatarisht deri në shtatë herë nga kontakti i parë me autoritetet e deri në fund të gjyqit”.
Rastet e trafikimit të qenieve njerëzore në Serbi
Në një rast tjetër të trafikimit të qenieve njerëzore në Serbi më 2021, kompania kineze Linglong, që po ndërton një fabrikë gomash në vlerë prej rreth 1 miliard dollarësh në Serbinë verilindore, u akuzua për shfrytëzimin e afër 500 punëtorëve vietnamezë.
Siç u dokumentua përmes dëshmive të punëtorëve dhe imazheve që atëbotë iu shpërndan mediave lokale dhe ndërkombëtare, punëtorët ishin vendosur në kazerma të improvizuara pranë kantierit të ndërtimit, dhe nuk kishin energji elektrike, ujë të ngrohtë e as qasje në ushqim të mjaftueshëm. Shumë punëtorëve po ashtu u ishin marrë pasaportat nga menaxherët e tyre pasi kishin shkuar në Serbi dhe ky incident ishte ngritur nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara.
Një rast i ngjashëm u ngrit në janar, ku ishin përfshirë një grup i vogël i punëtorëve indianë, të cilët po punonin për kompaninë China Energy Engineering Group Tianjin Electric Power Construction. Kjo kompani është kontraktore e Linglongut.
Hetuesit serbë erdhën në përfundim se asnjëri incident nuk kishte të bënte me trafikim të qenieve njerëzore. Ky vendim u kritikua nga organizatat sikurse ASTRA dhe nga Tomoya Obokata, raportuesi i posaçëm i OKB-së për format bashkëkohore të skllavërisë.
Obokata tha për BIRN-in se kjo ishte pjesë e një “trendi të rrezikshëm” të Serbisë sa i përket injorimit të rasteve që potencialisht mund të jenë raste të trafikimit të qenieve njerëzore.