Hagë, 8 qershor 2021 – Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mlladiq, i cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, u dënua në nëntor të vitit 2017, nën akuzat për vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995. Masakra e Srebrenicës, e cila ishte ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, u krye në zonën që ishte në mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.
Ratko Mladiq ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, ku u vranë 10 mijë civilë. Ai është shpallur fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe të kroatëve gjithandej Bosnjës, dhe për mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të Kombeve të Bashkuara për krimet e kryera në luftën e Bosnjës, ku janëvrarë mbi 100 mijë të vrarë dhe janë zhvendosur miliona.
Ratko Mladiq, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime luftë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, kishte qëndruar në Beograd, ndërsa pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, në vjeshtën e vitit 2000, ishte fshehur në Serbi.
Në maj të vitit 2011, ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas trysnisë së Bashkimit Evropian mbi Serbinë, e cila aspiron integrimet evropiane.
Gjyqi kundër Mlladiqit filloi në maj të vitit 2012.
Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars të vitit 2016, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiqit, Radovan Karaxhiq, i cili aktualisht po e vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm, të dënuar për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit.
Ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare për lufte në ish-Jugosllavi për krimet e kryera në Kosovë dhe në hapësirat tjera t ëish-Jugosllavisë. Ai u arrestua në Begrad dhe u dërgua në Hagë, në vitin 2001. Në vitin 2006, Millosheviq vdiq në njësinë e paraburgimit në Hagë, derisa po gjykohej për krimet e lufte dhe gjenocidin e kryer në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Gjykata për krime lufte nëish-Jugosslavi e përfundoi punën e saj me dënimin e Ratko Mladiqit, në vitin 2017. Çështjet e mbetura po trajtohen nga një mekanizëm tjetër ndërkombëtar, i vendosur në selinë e ish-gjykatës.
(r.m.)