Reagimet në Evropë: Burgosja e Imamoglut është sulm ndaj demokracisë

Bruksel, 24 mars 2025 – Politikanë gjermanë dhe evropianë e kritikuan ashpër arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit dhe kërkojnë të shtohet presioni ndaj Erdoganit.

“Arrestimi i kryebashkiakut është thellësisht shqetësues”, deklaroi përpara gazetarëve në Bruksel presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Turqia duhet të mbrojë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur”, theksoi ajo.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e quajti arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu si dhe përkrahësve të tij si një “goditje për demokracinë në Turqi”.

“Ne po shohim qartë se hapësira për politikanët opozitarë po bëhet gjithnjë e më e vogël”, tha ajo.

Ministria e Jashtme e Francës tha se arrestimi dhe burgimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu dhe liderëve të tjerë politikë “përbën një sulm serioz ndaj demokracisë.

Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se Turqia, e cila udhëhiqet nga Rexhep Tajip Erdogani për më shumë se 20 vjet, ka premtuar se do të mbrojë të drejtat e figurave të opozitës.

“Respektimi i këtyre angazhimeve është një element qendror i marrëdhënieve tona, si dhe i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Francës.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International tha se arrestimi i Imamoglut është përshkallëzim i goditjeve të opozitës në Turqi.

“Përdorimi i akuzave të paqarta për terrorizëm si armë kundër opozitës për të burgosur dhe për të ndjekur penalisht kundërshtarët nuk është e re. Paraburgimet e fundit dhe kufizimet shoqëruese paraqesin një intensifikim alarmant të vënies në shënjestër të kritikëve realë apo të perceptuar”, tha Dinushka Disanayake, zëvendësdrejtore e Amnesty për Evropën.

(r.m.)

Comment

*