Teheran, 6 korrik 2024 – Reformisti i moderuar, Masud Pezeshkian, i ka fituar zgjedhjet presidenciale në Iran, pasi e mposhti në balotazh të premten ultrakonservatorin Saeed Jalili.
Pezeshkian, ish-kirurg i zemrës, i fitoi 53.7 për qind të votave, derisa Jalili i fitoi 44.3 për qind, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Iranit, Mohsen Eslami.
Dalja në votim për balotazh ishte 49.8 për qind, dukshëm më e lartë se pjesëmarrja e ulët rekorde prej 40 për qind në rundin e parë.
“Ne do t’ua zgjasim të gjithëve dorën e miqësisë. Që të gjithë jemi njerëz të këtij vendi. Duhet ta përdorim secilin për përparimin e vendit tonë”, tha Pezeshkian në fjalimin e tij të parë pas fitores.
Votimi më 5 korrik ishte caktuar të përfundonte në orën 18:00, por u shty tri herë – një herë deri në orën 20:00, pastaj deri në orën 22:00 dhe pastaj deri në mesnatë – sepse autoritetet synonin të nxisnin sa më shumë njerëz të shkonin për të votuar.
Në rundin e parë nuk pati pjesëmarrje të madhe, pavarësisht se lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, kishte bërë thirrje për dalje më të lartë në votim, për ta mbrojtur imazhin e Iranit si një vend i fuqishëm, i cili e gëzon mbështetjen e popullit të vet.
Në këto zgjedhjet, të cilat u thirrën për shkak të vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i helikopterit muajin e kaluar, iranianët duhej të zgjidhnin mes reformistit dhe ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.
Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.
Pas vdekjes së 22-vjeçare Mahsa Amini më 2022 në paraburgim për gjoja veshjen e shamisë së kokës në mënyrë jo të duhur, Pezeshkian i vuri në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë.
Pas vdekjes së Aminit, e cila nxiti trazira disamujore në gjithë vendin, Pezeshkian kërkoi sqarim nga autoritetet për rastin e saj.
Pasi votoi gjatë rundin të parë javën e kaluar, Pezeshkian tha: “Ne do ta respektojmë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave”.
Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin.
Megjithatë, ai mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.
Derisa fitorja e Pezeshkianit nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, ajo mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989.
Në Iran, lideri suprem e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka pushtet në shumë çështje të rëndësishme.
Khamenei e pranoi se dalja në votim në rundin e parë nuk ishte “sic pritej”, por nguli këmbë se ajo nuk pasqyronte popullaritetin e republikës islamike.
Ai e quajti balotazhin “shumë të rëndësishëm” dhe tha se “ata të cilët e duan islamin dhe republikën islamike, si dhe përparimin e vendit, duhet ta tregojnë këtë duke marrë pjesë në zgjedhje”.
Një burrë i cili kërkoi të mbetej anonim, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mori pjesë në votim në rundin e parë, por e votoi Pezeshkianin në balotazh.
Republika islamike për kohë të gjatë ka ngulur këmbë se ligjshmëria e saj vjen nga pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje, por daljet e ulëta në zgjedhjet e viteve të fundit dhe protestat vdekjeprurëse kundër udhëheqësisë, e kanë sfiduar ligjshmërinë e pushtetit të tanishëm.
Pezeshkian e fitoi rundin e parë me 10.5 milionë vota, ndërsa Jalili doli i dyti me 9.5 milionë vota. Megjithatë, Pezeshkian përfitoi edhe nga ndarja e votës konservatore, sepse kandidati tjetër konservator, Mohammad Baqer Qalibaf i fitoi 3.4 milionë vota.
Kampi i Pezeshkianit është munduar t’i bindë votuesit të cilët e bojkotuan rundin e parë të dalin dhe të votojnë në balotazh. Mbështetësit e tij kanë argumentuar se nëse Jalili do të vinte në pushtet, administrata e tij do të përdorte politika shtypëse dhe do ta izolonte Iranin edhe më shumë.
Mbështetësit e Jalilit e kanë portretizuar Pezeshkianin si një njeri i cili është i butë me Perëndimin dhe do të bëjë që përparimi i Iranit të varet nga marrëdhëniet e mira me vendet e Perëndimit.
Ndërkohë, kundërshtarët i kanë bërë thirrje votuesve ta bojkotojnë balotazhin, duke ngulur këmbë se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira, e as të drejta dhe se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime, meqë pushtetin kryesor e ka Khamenei.