Prishtinë, 28 korrik 2023 – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në një reagim të asociacionit.
Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.
Kallëzimi penal ndaj ndaj shoqërisë tregtare Klan Kosova u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Në njoftimin e MINT-it të premten pasdite, thuhet: “Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.”
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.
Më 21 qershor, ARBK-ja e kishte shfuqizuar përkohësisht vendimin e 14 qershorit për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit privat, para se ta kthente në fuqi atë menjëherë më 22 qershor.
Juristja e së drejtës së medias në Prishtinë, Flutura Kusari, kishte thënë në atë kohë se vendimi ishte politik, dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm.
“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova”, kishte thënë Kusari.
Ky vendim ishte kundërshtuar edhe nga ambasadorët e huaj në Kosovë.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, kishte thënë se po e ndiqte nga afër rastin e Klan Kosovës dhe se vendimi për licencën e tij të biznesit ishte ende objekt ankimimi.
“Po e vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe u bëj thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”, kishte shkruar Abbott në Twitter.
Në atë kohë, vendimin e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Ambasada e Italisë përmes një postimi në Twitter e quajti “të papritur”.
(REL)