Regjistrimi i popullsisë në Kosovë shtyhet për në pranverë

Prishtinë, 22 nëntor 2023 – Qeveria e Kosovës e ka shtyrë përsëri edhe për disa muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, që tani parashihet të fillojë në prillin e vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën e 22 nëntorit, se procesi i regjistrimit “nuk është menaxhuar mirë” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka përmendur, po ashtu, edhe udhëheqjen e re të ASK-së si faktor që e ka shtyrë të propozojë shtyrjen e sërishme të procesit të regjistrimit të popullsisë.

Sipas vendimit të ri qeveritar, procesi do të zhvillohet nga 5 prilli deri më 17 maj të vitit 2024.

Më 23 gusht, Qeveria kishte vendosur ta shtynte për dy muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe kishte paraparë që ai të niste më 1 nëntor.

Duke e arsyetuar atë vendim gjatë një takimi të Qeverisë, kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.

Ai kishte thënë se procesi ishte shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas regjistrimit të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion.

Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

(REL)