Edy Reja e pranon se skuadra bëri gabime dhe se Polonia e meritoi fitoren por nuk mundi të mos përmendte që kuqezinjtë sipas tij u masakruan me kartona dhe episodet ishin kundër tyre.
“Për pjesën më të madhe të lojës ne e mbajtëm topin mjaft mirë, por me tre kartonë të verdhë pas 8 minutash, u masakruam. Ishin disa episode që nuk i patëm në favor dhe madje u ndëshkuam.
Kemi një penallti që ka vend për diskutim, që nuk u akordua në favorin tonë, ndërsa kundërshtarët u falën disa herë.
Nuk dua t’i mohoj asgjë Polonisë, për hir të zotit ata e merituan ashtu siç e pranoj që gabuam në goditjet standarde, por edhe arbitrimi çaloi sot”.
Trajneri Italian nuk mendon se ekipi u hodh në sulm ndaj dhe pësoi por shtoi se ndeshja ishte e ekuilibruar dhe episiodet vendosën shumë gjëra.
“Ne kishim ekuilibër dhe e ruajmë atë në fushë, duke sulmuar, por pa harruar mbrojtjen. Sot bëmë disa gabime, pasi shpesh tregohemi naivë, duke mbajtur topin gjatë, apo duke e humbur atë në zona të rrezikshme.
Ndonjëherë është më mirë të bëjmë të thjeshtën dhe të nxjerrim topin jashtë, për të mos rrezikuar, ashtu siç ndodhi në golin e tretë.
Nuk kemi “vdekur”, pasi një humbje në Poloni edhe qëndron dhe kemi ende ndeshje të tjera për të luajtur.
Sot ndikuan edhe vendimet e arbitrave, pasi mendoj se na u mohua një penallti, pati një rast të diskutueshëm me Cikalleshin në pjesën e parë, por edhe një faull në rastin e golit të tretë të tyre.
Gjithsesi nuk jemi të mbaruar, episiodet i kishim kundër”, përfundoi trajneri Edy Reja./OraNews