Kiev, 26 shtator 2022 – Një i ri rus qëlloi me armë zjari një oficer nga një distancë e afërt në një zyrë shërbimi të hënën, në një sulm jashtëzakonisht të guximshëm që pasqyron rezistencën ndaj përpjekjeve të udhëheqjes ruse për të mobilizuar qindra mijëra vetë për të shkuar në luftë kundër Ukrainës.
Incidenti vjen pas zjarrvënieve në zyrat e regjistrimit dhe protestave në qytetet ruse kundër thirrjes për t’u mobilizuar që kanë rezultuar në të paktën 2,000 arrestime. Rusia po kërkon të forcojë ushtrinë e saj, e cila ka pësuar humbje nëUkrainë.
Sipas njoftimeve të mediave lokale në qytetin siberian të Ust-Ilimskut, 25-vjeçari Ruslan Zinin, banor vendas, hyri në zyrën e regjistrimit duke thënë se “askush nuk do të shkojë të luftojë” dhe “ne të gjithë do të shkojmë në shtëpi tani”.
Ai u arrestua dhe zyrtarët u zotuan për dënim të ashpër. Autoritetet lokale thanë se komandanti ushtarak ishte nën kujdes intensiv, pa dhënë hollësi të mëtejshme. Një dëshmitar, i cituar nga faqja lokale e lajmeve, tha se rekruti ishte në një dhomë me individë të tjerë të thirrur për t’u mobilizuar. Trupat nga rajoni i tij ishin planifikuar të shkonin drejt bazave ushtarake të martën.
Shqetësimet po rriten se Rusia mund të kërkojë të përshkallëzojë konfliktin – duke përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore – pasi të përfundojë ato, që Ukraina dhe Perëndimi, i shohin si referendume të paligjshme në zonat eUkrainës nën kontrollin rus.
Votimi, në të cilin banorët po pyeten nëse duan që rajonet e tyre të bëhen pjesë e Rusisë, filloi javën e kaluar dhe përfundon të martën, në kushte që nuk janë aspak të lira, apo të drejta.
Mijëra banorë tashmë janë larguar nga këto rajone pas muaj të tpërë luftimesh të pandërprera. Imazhet e shpërndara nga ata që kanë mbetur, tregojnë ushtarë rusë që shkojnë derë më derë për t’i bërë presion ukrainasve që të votojnë.
“Çdo natë dhe ditë ka bombardime të pashmangshme në Donbas, nën zhurmën e të cilave njerëzit detyrohen të votojnë për “paqen” ruse,” tha të hënën guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kirilenko.
Rusia pritet gjerësisht të shpallë rezultatet në favor të saj, më pas të aneksojë territorin dhe ta pretendojë atë si territor të vetin, që mbrohet nën ombrellën bërthamore ruse.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se nuk është caktuar një datë për njohjen e rajoneve si pjesë e Rusisë, por mund të jetë çështje ditësh.
Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan tha se Rusia do të paguante një çmim të lartë, nëse do t’i bënte realitet kërcënimet për të përdorur armë bërthamore në konflikt.
“Nëse Rusia kalon këtë vijë, do të ketë pasoja katastrofike për Rusinë. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri,” tha ai të djelën, gjatë një interviste për emisionin “Meet the Press”, të kanalit NBC.
Të hënën, presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko mbajtën një takim të paparalajmëruar në qytetin jugor rus të Soçit dhe thanë se ishin të gatshëm të bashkëpunonin me Perëndimin – “nëse na trajtojnë me respekt”, siç u shpreh Presidenti Putin.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të hënën se Putini i kishte thënë presidentit të Turqisë gjatë takimit të tyre në Uzbekistan javën e kaluar, se Moska ishte gati të rifillonte negociatat me Ukrainën, por kishte “kushte të reja” për një armëpushim. Ministri nuk dha hollësi mbi kushtet.
Kremlini njoftoi javën e kaluar një mobilizim të pjesshëm – i pari që nga Lufta e Dytë Botërore – për t’i shtuar të paktën me 300,000 trupa, forcat në Ukrainë. Mobilizimi, një ndryshim i mprehtë nga përpjekjet e mëparshme të Presidentit Putin për ta portretizuar luftën si “një operacion të kufizuar ushtarak”, që nuk do të ndërhynte në jetën e shumicës së rusëve, duket se është shumë jopopullor në vend.
(Zëri i Amerikës)