Rënie e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi në 4.6%

Në rast se regjistrimi i popullsisë do të mbahej tani, anketimi i Qendrës për demokraci dhe të drejtat e njeriut (CEDEM), tregon se 44.7% do të deklaroheshin si malazez, 33% si serb, 7.9% si boshnjakë, 5.1% si muslimanë, 4.6% si shqiptarë, dhe 1.1% si nacionalite të tjera.

Këto rezultate janë të ngjajshme me ato të anketimit të muajit qershor, dhe diferenca e vogël është në kuadër të mundësisë së gabimit statistikor prej 3.1%. Në anketimin e qershorit si shqiptarë deklaroheshin 4.1% e të anketuarve, dhe rritja në 4.6% nuk do të thotë rritje të numrit të tyre. Megjithatë, të dy këto anketime tregojnë përqindje më të ulët të shqiptaëve se në regjistrimin e vitit 2011, kur si të tillë, deklaroheshin 4.9% e popullsisë së Malit të Zi.

Rënia e numrit të shqiptarëve është evidente, dhe arsyeja kryesore, përveç natalitetit të ulët, është edhe largimi i të rinjëve në vendet evropiane për shkak të kushteve ekonomike. Sa u përket popujve të tjerë, vërehet rritje e atyre që do të deklaroheshin si serb, boshnjakë, apo edhe si musliman, por edhe kjo me diferencë brenda gabimit statistikor. Këto rezultate në përgjithësi tregojnë se regjistrimi i popullsisë nuk do të sillte ndryshime krahasuar me atë të vitit 2011.

MALESIA.ORG