“Reporterët pa kufij”: Kosova dhe Shqipëria janë në mesin e vendeve “problematike”

Paris, 3 maj 2023 – Organizata “Reporterët pa kufij” (Reporters sans frontières) shprehu shqetësimin për gjendjen e lirisë së mediave. Si arsye kryesore për shqetësim ajo e konsideron luftën e Rusisë në Ukrainë, shtypjen e persekutimin e gazetarëve dhe kërcënimet nga përmbajtja e rreme e propaganda.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës “Reporterët pa kufij” u publikua të mërkurën, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Ai arrin në përfundimin se në 31 vende situata është “shumë e keqe”, në 42 vende situate është “e keqe”, në 55 vende situate është “problematike” kurse në 52 vende situara ëhtë “e mirë”.

Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende të botës, kurse është i kënaqshëm vetëm në tri nga dhjetë vende.

Organizata “Reporterët pa kufij” i renditi Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve problematike. Megjithatë, sipas indeksit të publikuar nga kjo organizatë, të dy vendet kanë shënuar progress në krahasim me një vit më parë.

Kosova renditet në vendin e 56-të të indeksit që përfshin 180 vende. Kjo është një ngritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur renditej në pozitën e 61-të.

Ndërkaq, Shqipëria renditet e 96-ta apo 7 pozita më lart se një vit më parë, kur renditej  e 103-a.

Serbia renditet në pozitën e 91-të, 12 vende më poshtë se vitin e kaluar. Kjo është rënia më e madhe në vendet e Ballkanit. Në raportin e “Reporterëve pa kufij, thuhet se mediat pro-qeveritare në Serbi përhapin propagandë ruse.

Maqedonia e Veriut, e cila renditet në vendin e 38-të, dhe Mali i Zi, në vendin e 39-të, gjenden në grupin e vendeve me gjendje “pakashumë të mirë” ose të kënaqshme.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një ngritje prej 19 vendesh nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim prej 24 vendesh.

Bosnje dhe Hercegovina, e cila renditet në vendin 64, ka një rritje prej tri vendesh në krahasim me një vit më parë.

Norvegjia renditet e para në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa kufij”. Kjo është hera e shtatë rresht që ky shtet renditet i pari për liri të shtypit.

Në tri vendet e fundit të Indeksit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë, gjenden Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

(r.m.)