Banjallukë, 28 qershor 2023 – Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe, rajonit gjysmë autonom në Bosnjë votoi për bllokimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, duke pamundësuar heqjen e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan në tetor të vitit të kaluar dhe nënshkruan më 3 nëntor marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës llogariteshin si përfituesit kryesor.
Procesi i Berlinit, i cili u ringjall nga Kancelari Olaf Scholz, u propozua në vitin 2014 nga ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga Republika Serbe.
Anëtarja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, tha se heqja e regjimit të vizave me Kosovën “do të ishte e dëmshme për interesat jetike të Republikës Serbe”.
Pas luftës së viteve 90, që la mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
(Zëri i Amerikës)