Banjallukë (Bosnjë e Hercegovinë), 9 qershor 2024 – Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, do të mbajë një seancë në fillim të korrikut, për të ratifikuar Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”, të nënshkruar më 8 qershor.
Kështu ka thënë kryetari i Asamblesë, Nenad Stevandiq.
“Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.
Përgjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit – që i ka dhënë fund luftës në Bosnje – dhe nuk përmend përçarjet aty.
Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.
Stevandiq i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë, më 9 qershor, se dokumenti i miratuar nuk ka të bëjë me ndonjë “Serbi të madhe”, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në të gjitha vendet.
(Radio Evropa e Lirë)