Përmbysja e madhe e të djathtës nuk ndodhi ashtu si pritej – guvernatorët demokratë fituan në New York dhe California, ata republikanë në Texas dhe Florida
Nga Ruben Avxhiu
Demokratët humbën Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan dhe do të kenë mbi dhjetë kongresistë më pak.
Mirëpo, historikisht kjo është një humbje e vogël, nëse e krahason me 54 vendet që humbën dy vjet pas zgjedhjes së Presidentit Bill Clinton dhe 63 pas zgjedhjes së Presidentit Barack Obama.
Mallkimi I zgjedhjeve të mësmandatit kësaj here nuk goditi edhe aq fort.
Në New York, demokratët arritën të zgjidhnin gruan e parë guvernatore në histori. Kathy Hotchul fitoi me një rezultat të ngushtë ndaj rivalit republikan Lee Zeldin. Republikanët patën një mundësi të madhe këtu, për shkak të rritjes së krimit dhe pakënaqësisë ekonomike në një shtet që zakonisht voton më shumë për demokratët.
Guvernatorët republikanë Gregg Abbot dhe Ron DeSantis fituan në Texas dhe Florida. Newson u rizgjodh në California. DeSantis është një nga kandidatët e mundshëm presidencialë për 2024, ndonëse rikandidimi i ish-Presidentit Donald Trump mund ta bëjë që të heqë dorë.
Beteja për Senatin ende nuk ka mbaruar, pasi disa nga garat nuk janë përcaktuar ende. Mirëpo, shpresat e republikanëve për t’i marrë të dy dhomat janë venitur pak.
Stuhia e premtuar nuk ndodhi. Një analizë e votës do të tregojë se pse amerikanët e pakënaqur nga Biden dhe demokratët nuk u kthyen plotësisht nga republikanët. Mësimet e këtyre zgjedhjeve mund të jenë vendimtare për betejën më të rëndësishme atë të vitit 2024 për Shtëpinë e Bardhë.