Por dallimet e tij me Donald Trump, për Rusinë e tema të tjera, ngrejnë pikëpyetje serioze
Nga Ruben Avxhiu
Mike Pence doli fitues nga debati i kandidatëve për zëvendës-president. Frymën e përgjithshme të komenteve në rrjetet sociale e vërtetuan në fund edhe anketimet nga CNN.
Demokratët ndoshta do ta kalojnë natën duke argumentuar se pse nuk është e vërtetë që Tim Kaine humbi. Sesi ai kishte argumentet më të mira, batutat më të mira, shembujt dhe shifrat më të mira. Ata do të shtojnë se Mike Pence shpesh devijoi e zbukuroi në mos gënjeu për shumë nga temat që u pyet.
Ata mund të kenë të drejtë në shumë nga këto, po kjo nuk e ndryshon përfundimin e debatit. Kjo është një dëshmi sesa të koklavitura janë debatet televizive ku mund të humbasësh duke fituar. Nëse nuk e besoni, kërkoni debatet mes Al Gore, një erudit me përvojë të jashtëzakonshme qeverisëse dhe George W Bush, ndoshta kandidati me më pak dijeni në politikën e jashtme në historinë e zgjedhjeve moderne presidenciale, e që kishte probleme serioze artikulimi fjalësh të ndërlikuara.
Gore e mbyti me shifra e të dhëna, me kontekst e me këndvështrime. Në fund, amerikanët treguan se kishin preferuar teksanin W. Një batutë e kohës ishte se thellë brenda vetes, të gjithë e kanë inat nxënësin më të mirë të klasës.
Debatet janë beteja pritshmërish. Një rrezik që kërcënonte Hillary Clinton në debatin e parë ishte se Donald Trump pritej që të dilte shumë keq dhe nëse do të arrinte të mos bënte ndonjë gafë, njerëzit mund ta shihnin si fitues të debatit. Në fakt, dinamika e debatit nxorri kandidaten demokrate fituese të qartë.
Fitorja e saj, e pasoi rrezikun e pritshmërisë së ulët në debatet vijuese, përfshi edhe atë që u krye mbrëmë. Njerëzit prisnin që Tim Kaine të shkëlqente dhe që Mike Pence të ishte i mërzitshëm. Në fund, Pence doli shumë më mirë se çfarë e prisnin. Ai korrigjoi llomotitjet e bosit të tij në shumë aspekte, sidomos në politikën e jashtme dhe aty ku nuk mund ta mbronte i devijoi pyetjeve ose refuzoi haptas të pranonte se Trump i kishte thënë ato gjëra.Problemi kryesor me demokratin Tim Kaine ishte mungesa e qetësisë. Clinton dhe Kaine udhëheqin përsëri garën tani, sipas anketimeve, duke rritur diferencan ndaj Trump, i cili ka pasur një javë shumë të keqe. Pence duhej të bënte diçka për të përmbysur sadopak situatën; Kaine mund të mbështetej i qetë në karrige dhe të sodiste përpjekjet e dëshpëruara nga Pence për të bindur amerikanët që t’i jepnin një shans kandidatit të tij.
Në vend të kësaj, ishte Kaine ai që nuk e zinte vendi. E ndërpreu në mënyrë të përsëritur rivalin e tij, aq shumë sa që shumë simpatizues të tij filluan të shprehnin hapur shqetësimin. Për fatin e tij të keq, Pence nuk u ankua për gati një orë për këto ndërhyrje duke mos e prishur gjakun e duke lejuar kolegun demokrat që t’ia ndërpriste fjalën pa nevojë. Pastaj, Pence filloi të sillej po njësoj si ai, po dëmi ndërkohë ishte bërë për demokratët.
Për ata që nuk e kuptojnë, suksesi në debate është shpesh punë psikologjie. Shumë telespektatorë nuk janë në gjendje të vlerësojnë mirë përgjigjet. Shumë prej tyre krijojnë simpati në bazë të të ashpuquajturës gjuhë të trupit, mënyrës së sjelljes, silit të komunikimit. Nuk ka rëndësi nëse ke të drejtë nëse u dukesh njerëzve si i paduruar e nervoz.
Ashtu funksionon.
Problemi me republikanin Pence ishte sigurisht që ai nuk ishte i sinqertë. Ai është i ndërgjegjshëm për gafat e Donald Trump. Iu desh të bënte balet në përgjigjet e tij për të mos fyer njeriun nën të cilin do të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë nëse fiton.
Në disa raste flagrante u soll sikur Donald Trump nuk i kishte thënë fyerjet që ia ricitonte pa përtim Tim Kaine.
Në politikën e jashtme, që nga armët bërthamore, te Rusia, Siria etj, Mike Pence tha të kundërtën e atyre që thotë Donald Trump. Që ngrenë pyetjen se cila do të jetë politika e jashtme amerikane nëse fitojnë Republikanët. Ajo pro-Putin e Donald Trump apo ajo e Mike Pence që pa u druar e cilësoi Putinin si një diktator të rrezikshëm dhe përmbysi situatën duke akuzuar Presidentin Obama dhe Hillary Clinton si Sekretare Shteti që e kishin lejuar të rriste agresivitetin e tij ndërkombëtar.
“Ariu rus nuk fle, ai thjesht dimëron”, tha Pence duke iu rikthyer retorikës tradicionale antiruse republikane.
Po sa mund të vijojnë Trump dhe Pence të thonë dy gjëra të ndryshme në tema të tilla, pa krijur dyshimin e mungesës së seriozitetit.
Fjalia më e mirë nga Kaine në debat ishte që Pence po na kërkon të votojmë për një president të cilin po refuzon ta mbrojë këtu në debat.
Në fakt, Kaine e humbi debatin edhe sepse e teproi duke përsëritur gafat dhe fyerjet publike që ka bërë Trump. Nuk është çudi që kjo të ketë qenë e qëllimshme. Ndoshta synimi i tij, më shumë se të fitonte ishte t’u kujtonte grave dhe pakicave në SHBA fjalët e rënda që kandidati republikan ka thënë gjatë vitit të fundit.
Pence, ashtu si pritej, formuloi qartë pikëpamjet e tij konservatore, që janë të njohura për republikanët tradicionalë. Shumë prej tyre do të kishin dashur një Pence kandidat për president, në vend të ortekut flokëportokalli nga Neë York City.
Pence ka atë konservatizmin e shtruar dhe të krishtertë të George W Bush, ndonëse më agresiv në disa çështje të caktuara. Është një lloj tip politikani që ngjan si dinosaur në metropolet amerikane por që u jep qetësi e besim votuesve konservatorë në zemër të kontinentit.
Ndryshe nga ai, Tim Kaine ndan të njëjtat pikëpamje me udhëheqësen e vet. Ndryshe nga Pence që në privat mund të ketë pikëpamje të tjera për Donald Trump, e që përpara disa muajve në fakt e ka kritikuar shumë ashpër, Kaine duket që e adhuron Hillary Clinton dhe i shërben pa vrasje ndërgjegjeje. Nuk ka dallime në pikëpamje mes tyre dhe Kaine është avokat i sinqertë i vizionit të saj.
Po pasioni e sinqeriteti mund të japin efektin e kundërt nganjëherë. Pas një jave shumë problematike të Donald Trump që filloi me humbjen në debatin e parë, të hënën e kaluar, republikanët më në fund po marrin frymë përsëri. Sot, kanë shkuar në shtrat me sigurinë se e fituan një betejë. A do të ketë ndikim në anketime, mbetet për t’u parë.