Uashington, 22 gusht 2022 – Humbja e ligjvënëses Liz Cheney në zgjedhjet e javës së kaluar brenda partisë republikane në shtetin Uajoming (Wyoming) ka nxitur reagime në të dy krahët e spektrit politik lidhur me hapin e saj të radhës. Republikanes Liz Cheney, një kritike e ashpër e ish-Presidentit Donald Trump, i përfundon mandati në fillim të janarit të vitit që vjen.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 vazhdon të ketë pasoja edhe sot. Pasi ligjvënësja republikane Liz Cheney, kritike e ish-Presidentit Donald Trump, humbi garën brenda partisë në shtetin Uajoming, ajo tha se po krijonte një organizatë politike për të ndaluar Trump-in dhe ish zyrtarë të tjerë, që ajo i quan “mohues të zgjedhjeve”, që të rizgjidhen për poste publike.
“Nuk kemi asnjë shans për të fituar zgjedhjet nëse ndodhemi në një pozitë ku partia jonë i ka braktisur parimet, vlerat dhe besnikërinë ndaj Kushtetutës, për të përqafuar kultin e një individi. Mendoj se kjo është vërtet e rrezikshme për një sërë arsyesh”, tha ligjvënësja Cheney për rrjetin televiziv ABC.
Zoti Trump, i cili pritet të kandidojë përsëri për president në vitin 2024, mbështeti sfiduesen e zonjës Cheney, Harriet Hageman, e cila fitoi me rreth 30% më shumë vota. Rezultatet e zgjedhjeve shihen si tregues i mbështetjes së thellë që gëzon zoti Trump mes republikanëve.
“Nuk ia dola e vetme. Natyrisht, i jemi shumë mirënjohës Presidentit Trump, i cili e pranon se Uajoming (Wyoming) ka vetëm një përfaqësues në Kongres dhe duhet të sigurohemi që të ketë peshën e vet. Mbështetja e tij e qartë dhe e palëkundur na çoi drejt fitores”, tha në fjalimin e fitores kandidatja republikane për Kongres Harriet Hageman.
Zoti Trump në mënyrë të rreme ka ngritur pretendimin se ai ishte fitues i zgjedhjeve të vitit 2020 dhe jo Presidenti Joe Biden. Zonja Cheney la të kuptohet se po shqyrtonte mundësinë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, një synim jo vetëm për ndaluar zotin Trump që të rizgjidhet sërish.
“Marrja e një vendimi kaq të rëndësishëm dhe serioz do të ishte me synimin për të fituar dhe nëse do të isha kandidatja më e mirë”, tha zonja Cheney.
Një faktor që ndikoi në garën në Uajoming, mund të ketë qënë kontrolli nga FBI-ja i shtëpisë së zotit Trump në Florida lidhur me dokumentet e klasifikuara. Disa republikanë e kanë kritikuar veprimin si tejkalim të pushtetit dhe janë shprehur në mbrojtje të zotit Trump.
“Mendoj se kjo është arsyeja e reagimeve të shumta nga republikanët që i ka bashkuar. Nuk ka rëndësi çfarë mendojnë për Trumpin por janë të bashkuar për këtë çështje sepse u duket e padrejtë”, tha për rrjetit CNN ligjvënësi republikan i Teksasit Dan Crenshaw.
Zonja Cheney nuk pranoi të shprehej nëse do të kandidonte si republikane apo si e pavarur nëse vëndos të hyjë në garën për president.
(Zëri i Amerikës)