Prishtinë, 19 janar 2023 – Disa qytete në Kosovë janë duke u përballur me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Qyteti më i prekur nga vërshimet sipas raportimeve është Skenderaj, ku autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në këtë qytet, Alban Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se lumi Klina dhe disa degë të tij, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar vërshime në rreth dhjetë fshatra të kësaj komune.
Shala tha se ekipe të shumta dhe grupe të qytetarëve janë duke ndihmuar për t’i evakuuar qytetarët të cilët janë të rrezikuar nga vërshimet.
“Zjarrfikësit, stafi i emergjencave dhe grupe të qytetarëve janë në aksion dhe po intervenojnë në rastet kur ka nevojë, si në evakuim po ashtu edhe në parandalim”, tha Shala.
Shala shtoi se ekipe të FSK-së i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar rreth menaxhimit të situatës së shkaktuar nga vërshimet.
Për vërshime është raportuar edhe në qytetin e Vushtrrisë, ku disa oborre të shtëpive raportohet se janë përmbytur nga uji.
Raportime për vërshime ka edhe nga qyteti i Pejës.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Problemet më të mëdha janë në fshatrat e komunës së Zveçanit përfshirë Grabovcin, Zherovnicën dhe rrugës për në fshatin Korilje.
Rruga e asfaltuar nga Zveçani për në Zhitkovc, Zherovnicë dhe Zubin Potok është vështirë e kalueshme me vetura.
Dalja e lumit Ibër nga shtrati ka vërshuar edhe Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore.
Në Mitrovicën e Veriut, drejt urës kryesore, lumi Ibër ka arritur lartësinë e shëtitores, kështu që karriget që shërbejnë si pushimore janë zhytur në ujë.
Rrëshqitje të dheut ka pasur në rrugën nga Zveçani për në Leposaviq.
Situatë e ngjashme është edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Disa fshatrat të komunës së Zveçanit kanë mbetur pa rrymë në mëngjes, si pasojë e rrëzimit të një shtylle elektrike.
Në Agjencinë e Emergjencave të Kosovës kanë thënë për REL-in se nuk mund të japin ndonjë informacion specifik aktualisht rreth situatës, porse kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë masat e nevojshme për përballimin e situatës.
Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK] tha se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit “sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ndërsa nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore”.
IHMK-ja, po ashtu, paralajmëroi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.
“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të rriten dhe të shkaktojnë përmbytje”, bëri të ditur IHMK-ja.
(REL)