Tiranë, 29 maj 2022 – Në fshatin Mërqi të Lezhës ka nisur puna për restaurimin e Kishës ku në vitin 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit. Restaurimi synon ta shdërrojë atë në një kompleks muzeal të vizitueshëm përgjatë gjithë vitit.
Kisha ku në vitin 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit ndodhet në fshatin Mërqi, vetëm 4 kilometra nga Memoriali i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeu, në qytetin e Lezhës.
Prej disa javësh, një grup arkitektësh, të udhëhequr nga studiuesi dom Nikë Ukgjini dhe mbështetur nga donatorë privatë, po punojnë për restaurimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit, duke synuar ta shndërrojnë në një qendër të vizitueshme të kujtesës kombëtare.
“Kuvendi i Arbërit, nga studiuesit llogaritet se është më i rëndësishmi pas Besëlidhjes së Lezhës 1444. Si ngjarje e tillë ja vlen të ndërmerret diçka që të bahet një qendër pelegrinazhi për tërë shqiptarët, sepse të gjithë e kanë në zemër atë periudhë, ose atë mbledhje të ipeshkvijve, që u mblodhën nga të gjitha trevat dhe, në krye të të gjithë kësaj iniciative kuptohet se ishte Papa Klementi i XI, që asht me origjinë shqiptare”.
Kuvendi i Arbërit, i mbajtur nën drejtimin e Papa Klementit me origjinë shqiptare, vlerësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ndaj, thotë dom Nikë Ukgjini, Kisha e Kuvendit të Arbërit duhej të tërhiqte vëmendjen dhe interesimin e institucioneve të shtetit shqiptar, për t’a vënë nën mbrojtje si monument të rëndësishëm të kulturës dhe historisë.
“Është dashur patjetër që të ketë ndërhyrje edhe më parë, por nuk kanë qenë kushtet. Kemi krijuar një grup njerëzish, studiuesish, arkitektësh, inxhinjerësh që të punojmë me shumë kujdes në këtë projekt, i cili i ka tre faza. Shpresojmë që të bahet një vend shumë i rëndësishëm, shumë i pranushëm dhe të përkujtohet kjo ngjarje, e cila asht e paharrueshme për krejt kombin shqiptar”.
Mes grupit të arkitektëve që po punojnë për restaurimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit është edhe arkitekti i njohur Zef Çuni, i cili thotë se kisha përmban vlera arkitekturore, të cilat dëshmohen edhe nga fotot e vjetra të fillimshekullit të kaluar. Restaurimi i saj, thotë ai, synon t’i evidentojë këto vlera.
“Po i kthejmë vlerat e veta. Në rradhë të parë po rikonstruktohet totalisht duke e kthy në murin e gurit që e ka pasë dhe me të gjithë elementet dekorativë. Njëkohësisht po punohet edhe mbrapa me hapësirën që i ka mungu. Përpara, në projekt është parashikuar ndërtimi i parahyrjes për në kishë”.
Restaurimi i Kishës ku u mbajt Kuvendi i Arbërit, sipas arkitektit Çuni, synon t’a shndërrojë atë në një monument të rëndësishëm kulturor dhe historik, të vizitueshëm gjatë gjithë periudhës së vitit.
Kuvendi i Arbërit ishte një përpjekje për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe fetar të popullsisë shqiptare përballë përpjekjeve për asimilim të perandorisë osmane. Vendimet e Kuvendit u botuan në gjuhën shqipe në vitin 1707 dhe janë dëshmi e gjendjes së popullsisë së asaj kohe si dhe e gjuhës shqipe. Ndaj, dom Nikë Ukgjini apelon për mbështetje financiare për të shndërruar, Kishën ku u mbajt Kuvendi i Arbërit, në një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)