Reuten: Qëndrimi i BE-së ndaj Kurtit nuk justifikohet, Kosova po përpiqet të ruajë shtetin e së drejtës

Bruksel, 2 korrik 2023 – Në Parlamentin Europian po shtohen deputetët që kritikojnë qasjen ndaj Kosovës të të dërguarit të Bashkimit Europian (BE)për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Kritikat janë shtuar gjatë debatit për masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe pas miratimit të tyre.

Kritikët në Parlamentin Europian e konsiderojnë të pajustifikueshëm vendimin e Këshillit të BE-së që të ndërmarrë masa vetëm ndaj Kosovës, ndërsa është gjerësisht e njohur se Serbia nuk i ka ndërprerë asnjëherë aktivitetet kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, nga Partia Laburiste, në një intervistë për Euronews Albania, ka thënë se BE-ja nuk është duke reaguar në mënyrën e duhur ndaj qëndrimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me Kosovën. Ai ka thënë se Vuçiqi është një politikan autokrat dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm me qasjen ndaj Kosovës, por edhe me politikën që ndjek brenda vendit të vet, të cilën Reuten e ka quajtur “demokraci vetëm në letër”.

“Kemi qenë shumë kritikë ndaj qasjes së përgjithshme të BE-së dhe ndaj Lajçakut. Ajo që BE-ja nuk po arrin të bëjë është të shikojë çfarë ndodhi në veri (të Kosovës) në fund të muajit maj. Për më shumë se një dekadë po merremi me një president autokrat në Serbi që është duke luajtur me ndërkombëtarët. BE-ja nuk është duke reaguar në mënyrën e duhur ndaj këtij qëndrimi”, ka thënë eurodeputeti holandez.

Reuten i ka cilësuar të papranueshme masat e BE-së ndaj Kosovës.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme të flasim për masa ndaj Kosovës, derisa nuk po ndërmarrim asgjë kundër Serbisë. Ndoshta mund të them e se dërgimi i kryetarëve të komunave në zyrat e tyre do të ishte bërë në ndonjë mënyrë tjetër, por kjo në asnjë mënyrë nuk e justifikon qëndrimin e BE-së ndaj zotit Kurti. Më duhet të kujtoj se Kosova po përpiqet të ruajë shtetin e së drejtës madje edhe duke venë para drejtësisë ata që e sulmuan KFOR-in. Këtë duhet ta ketë në konsideratë BE-ja”, ka thënë ai.

Reuten ka kujtuar se BE-ja nuk ka reaguar fare lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë.

“Ka një mungesë balance në raport me Kosovën dhe Serbinë”, ka deklaruar ai.

(r.m.)